Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot, në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike se “nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë dhe që synojnë destabilizimin e rajonit”.
Ndërsa e cilësoi “ditë reflektimi, bashkimi dhe vendimi për të zgjedhur të bashkuar rrugën e të ardhmes”, Basha tha se “nuk jemi mbledhur për t’i rrahur shpatullat njëri-tjetrit, por për të thënë disa të vërteta që për shumë gjatë nuk i kemi shqiptuar, apo vetëm i kemi belbëzuar”.

Basha tha se “sot jemi mbledhur në emër të së vërtetës”.
“Ne jemi PD e Shqipërisë 31 vite, me sukseset dhe dështimet tona, në qeveri dhe në opozitë. Si do të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër. Që ne të jemi bindës për shqiptarët duhet të guxojmë t’iu themi sot atyre se si do të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër”, tha Basha në fjalën e tij.
Kreu i PD-së u shpreh se “ky është një akt i madh i guximshëm, pasi do të na duhet ta provojmë sot se ne do të jemi partia më e pastër në Shqipëri, duke mos lejuar në radhët tona dhe në ekipet drejtuese të PD-së njerëz që turpërojnë shoqërinë shqiptare”.
Basha tha se “duhet të biem dakord sot për këtë standard”.
“Njerëz që kanë lidhje me historinë e dhimbshme të shqiptarëve, që ka qenë diktatura e Enver Hoxhës, nuk do të lejohen në strukturat e PD-së. Po ashtu, nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së, njerëz të inkriminuar në çfarëdo të kaluar kriminale, gjatë këtyre tridhjetë viteve, që janë bërë objekt i dënimeve penale, për krime ndaj qënieve njerëzore, krime ekonomie, vepra penale apo përfshirje në organizata kriminale”, tha Basha.
Basha vijoi duke shtuar se “nuk do të lejojmë në strukturat drejtuese të PD-së njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë, devijime populiste dhe nacionizma të verbër që synojnë destabilizim të rajonit dhe krijojnë pasiguri për të ardhmen e Shqipërisë”.
“PD do të jetë garancia e shqiptarëve, që do të jetë me sytë, mendjen dhe trupin në perëndim. Njerëz apo prirje antidemokratike që cenojnë lirinë e votës, institucionet e partisë dhe devijimin e vullnetit të shqiptarëve nuk kanë vend në PD. Kjo do të jetë garanci për një Shqipëri të lirë që di të votojë”, tha Basha.
Kjo, tha Basha, “është një sfidë e madhe por ne do të rritemi me këtë besim në mendje dhe zemër pasi vetëm kështu shqiptarët do të na besojnë duke parë se kush janë demokratët”.
“Mblidhemi sërish në këtë sallë, pak muaj pasi të gjithë bashkë ngarkuam njëri-tjetrin me përgjegjësinë për të çuar përpara përballjen me kundërshtarin tonë politik, të vendosur për të mos hequr dorë nga detyra që na besuan qytetarët, atë për ndryshimin, që pengoi egërsisht nga masakra zgjedhore. U mblodhëm në 17 korrik, por u mblodhëm me një gur në zemër dhe një nyje në fyt. Personit që mes nesh i kishim vendosur mbi supe më shumë spaleta, atij që i kishim shtruar për gati tre dekada rrugën me lavdërime, i ishte varur mbi karrierën e gjatë politike, cilesimi ‘non grata’ nga SHBA. Pezmi ishte i madh”, tha Basha.
“Përballë historisë tonë, të partisë që ribashkoi Shqipërinë me Perëndimin, që ka shënuar arritjet më të mëdha në raport me aspiratat tona kombëtare, në procese ku Shtetet e Bashkuara kanë qenë jetike, në një marrëdhënie vlerash të sanksionuar në kushtetutën e partisë tonë, shtegu, ndonëse i vetëm dhe i ngushtë, ishte i qartë. Duhej mbrojtur Partia Demokratike, investimi i demokratëve dhe i shqiptarëve për një të ardhme më të mirë!
Dhe atë ditë ku mora atë vendim, nisi një marshim i ngadaltë dhe i pashmangshëm drejt Kuvendit ku jemi mbledhur sot”, tha ai.
Sipas Bashës, “midis 9 shtatorit dhe 18 dhjetorit rreth PD-së kanë ndodhur ngjarje, akte dhe procese të pashembullta, të pangjara më parë, që i japin këtij Kuvendi statusin e një date të dytë historike pas themelimit të Partisë Demokratike si partia e shpresës së shqiptarëve, si partia euroatlantike, si partia e rilidhjes së Shqipërisë me perëndimin pas 45 vitesh të perdes së hekurt të komunizmit barbar shqiptar”.
“Kjo datë e dytë, po aq e rëndësishme, ky akt i dytë, ky Kuvend, është dhe duhet të jetë Kuvend i afirmimit të proamerikanizmit dhe pro euroatlantizmit pas një periudhe keqkuptimesh, konfliktesh, paqartësish, kundërveniesh apo problemesh me aleatin tonë strategjik, të cilat kulmuan me pezullimin nga grupi parlamentar i ish-Kryetarit të PD-së, Sali Berisha”, tha Basha.
Basha tha se “pas shpalljes së tij ‘non grata’ për korrupsion madhor dhe pengim të demokracisë, ne jemi përballur me një fushatë të pashembullt, të pa principtë”.
“Jemi përballur me një fushatë në kufijtë e një lufte civile, me një arsenal mjetesh nga më të pistat, metodat nga më të ultat të një grupi të vogël, por zhurmëmadh për ta detyruar PD të hyjë në një konflikt me SHBA, për ta detyruar PD të bëhet mburojë e problemit personal të Sali Berishës”, shtoi Basha.
“Më takonte mua të merrja mbi vete peshën e atij vendimi, të kthesha në rrufepritëse të akuzave që vërshuan dhe vërshojnë si lum, më takonte mua të lidhesha pas direkëve e të mbyllja veshët me dyll, që të mos dëgjoja këngën e sirenave, që sot janë një orkestër e madhe e mirëpaguar, e dirigjuar për të më denigruar mua dhe ekipin tim, e cila kishte vetëm një funksion, shmangien e të vërtetës. Dhe e vërteta është shumë e thjeshtë. Drama që ra mbi Berishën, duhej shuar duke krijuar një dramë mbi demokratët, duke i trazuar shpirtrat e tyre të lënduar nga padrejtësia e 25 prillit, në interes të një personi, dhe të atyre që kurdisin mërinë e tij, duke e dëmtuar kështu Partinë Demokratike”, tha ai.
Por, vijoi Basha, “unë nuk mund ta pranoja këtë,sepse Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është pasuri e demokratëve, të cilët kërkojnë vetëm një gjë, fitoren”.
“Dhe fitorja nuk mund të vij kurrë duke pasur një ‘non grata’ në radhët tona, as duke e shndërruar të gjithë partinë në ‘non grata’, për ta hir të fatit personal të një personi kushdo qoftë ai. Pandaj cfarë ka ndodhur pas 9 shtatorit po na ndryshon. Dhe ne sot zgjedhim të na ndryshojë për mirë”, tha ai.///
ME SHUME LAJME
”The Times” . Nga Mesdheu në Afrikë: Riviera Shqiptare mes vendeve më të rekomanduara për pushime
Takimi i Ramës në Vlorë, zbardhen porositë e kryeministrit në prag të sezonit turistik.
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë