SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Qendra olimpike në çdo qytet

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me Komitetin Olimpik Shqiptar, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e arsimit, për programin e ri kombëtar të sportit në shkolla e universitete.

Ndërsa theksoi rëndësinë e këtij programi, Rama tha se “mbi bazën e inventarit të terreneve sportive të hapura ne të shikojmë si do të adresojmë financimin në bashkëpunim me bashkitë për të shtuar kapacitetet”.

Duke sjellë në vëmendje investimet në këtë drejtim, Rama tha se “ne kemi sot në shkolla palestra me standarde optimale si asnjëherë më parë”.

Por, Rama tha se gjithë kjo infrastrukturë duhet shtuar dhe duhen rritur sipërfaqet e terreneve sportive të hapura komunitare nëpër lagje e deri në zonat rurale.

“Ky takim besoj na jep të gjithëve një ide të qartë të ambicies për këtë program jashtëzakonisht të rëndësishëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, kulturën sociale  dhe edukimin kundër atyre hijeve që vijnë vërdallë shkollave dhe kërcënojnë jetën e shëndetin dhe të ardhmen e tyre. Të mirat e sportit dhe të këtij programi janë të panumërta por varet nga sa cilësor, tërheqës dhe i shtrirë në gjithë territorin do të jetë ky program”, tha Rama, ndërsa shtoi se, kjo ka qenë kërkesa e vazhdueshme e nxënësve.

Kryeministri theksoi se fondi në dispozicion është i konsiderueshëm se duam që organizimi të jetë domethënës. “Duhet të ndërtojmë rrjetin e skuadrave, të vendosim në dispozicion rrjetin e trajnerëve, të kemi rrjetin e kujdestarëve shëndetësor, rrjetin e personave në bashki dhe drejtori arsimore që do merren me këtë program dhe strukturat e qeverisë. Kjo është një mundësi për çdo bashki që të marrë mbështetje edhe nga qeveria për të rritur  sipërfaqen e vetë në dispozicion të aktivitetit sportiv, në mjedise të mbyllura dhe terrene të hapura”, tha ai.

Rama kërkoi që çdo bashki të marrë në konsideratë projektimin e një qendre sportive në territorin e saj, me më shumë se sa 1 apo 2 fusha.

“Duhet të jetë një qendër olimpike në modelin e asaj të Korçës. Duhet të fillojmë me vizionin, hap pas hapi me projektet dhe me financimet. Duhet të ndërtojmë me patjetër një Qendër Olimpike në Tiranë”, tha Rama./atsh///

error: