Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “jemi të vendosur dhe po e tregojmë me vepra, jo me fjalë që një politikë ndryshe po vjen, e cila i ka dhënë tashmë provat e para dhe do të japë edhe më shumë prova dhe bashkë më të gjithë shqiptarët e ndershëm që janë shumica absolute e këtij vendi”.
Në një takim me strukturat drejtuese të degës 8 të Partisë Demokratike, Basha tha se “ne do të bëjmë gjithçka që të krijojmë një aleancë sa më të gjerë të mundshme me qytetarët e t’u themi me të vërtetë politika e mashtrimit, e gënjeshtrës, e shpifjes ju ka lodhur siç do të lodhte çdo njeri normal, çdo popull normal të Europës. Por mos e humbni shpresën”.
Basha tha se “kemi 6 vjet që e denoncojmë aferën e inceneratorëve. Gjashtë vjet betejë për një të vërtetë të dhimbshme, për një aferë korruptive me përmasa monstruoze, të përbindshme. Minimalisht 430 milionë euro”.“Mendoni se çfarë mund të ishte bërë me këto para po mos të ishin zhdukur në xhepat e një grushti njerëzish, një grushti pushtetarësh ku sot për sot drejtësia ka brenda bishtin jo kokën. Koka është akoma në qeveri. Dhe nga mëngjesi deri në darkë, koka e kësaj afere, bashkë me patericat e tij dhe me tubin e tij të oksigjenit mundohen ta heqin vëmendjen nga kjo”, tha Basha.
Kreu i PD-së u shpreh se “sapo kërkuam Komision Hetimor për një çështje ku janë përfshirë drejtpërdrejt krerët më të lartë që sundojnë sot Shqipërinë dhe kryeministri e kryetari i bashkisë së Tiranës, thanë “jo” megjithëse 5 herë Gjykata Kushtetuese ka thënë; kur 28 deputetë kërkojnë komision hetimor s’thua dot jo. Pse? Vetëm e vetëm ta zvarrisin po çfarë fitojnë nga zvarritja?”.Duke folur për ish-kryeministrin Sali Berisha, Basha tha se “Berisha filloi një lëvizje të tërë vetëm për hallin e tij personal. Dhe përfundoi ashtu siç ju thashë, ishte gati t’i vinte, ai bashkë me një grusht njerëzish që për karrigen e tyre janë gati t’i vënë zjarrin shtëpisë së tyre e treguan se kjo nuk është një betejë as për demokracinë, as për demokratët, por për hallin personal të Sali Berishës dhe për karriget e tyre”.
Më tej Basha tha se “ne sfidave nuk u jemi trembur asnjëherë. Kundërshtarit edhe kur ka qenë dhe ka patur siç ka sot, të gjitha mjetet, nuk i jemi trembur asnjëherë. E dinë që i fryn tam-tameve të përçarjes sepse duan ta përçajnë Partinë Demokratike pikërisht sepse është pengesa e vetme mes të keqes dhe shpresës së shqiptarëve për ndryshim, mes një shteti plaçkë e një pakice politikanësh, oligarkësh dhe kriminelësh dhe një shteti në shërbim të qytetarëve”.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit