Në bulevardin “Zogu I” në Tiranë u përurua sot statuja e mbretëreshës Geraldinë.Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zëvendësministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, Princi Leka Zogu, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, qytetarë etj.
Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë së Tiranës, Veliaj tha se ndihet krenar që drejton këtë qytet, që sot i respekton të gjithë ata që kanë lënë gjurmë në vendin tonë.“Kemi pasur një vit shumë intensive: Fillimisht vendosëm statujën e Skënderbeut në sheshin dhe parkun kryesor të Budapestit, kurse sot përurojmë statujën e Nënës Mbretëreshë në Bulevardin kryesor të Tiranës. Nuk ka mënyrë më të mirë për të shprehur këtë lidhje midis dy shteteve. Midis Shqipërisë dhe Hungarisë ekziston një raport i veçantë. Edhe bashkitë respektive bëjnë punën e tyre: kemi një raport të shkëlqyer me bashkinë e Budapestit, por raporti mes njerëzve është më i miri. Raporti që kanë zhvilluar njerëzit, duke filluar nga Janosh Huniadi me Skënderbeun, dhe i Mbretit tonë Zog me mbretëreshën Geraldinë, tregon se urat që lidhen mes njerëzve janë të pathyeshme”, theksoi Veliaj.

Zëvendësministri i Hungarisë për Punët e Jashtme dhe Tregtisë, për Politikat e Sigurisë, Péter Sztáray, i cili mbërriti në Tiranë posaçërisht për këtë përurim foli për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Hungarisë ndër vite.“Ne jemi shumë të nderuar dhe shumë të lumtur që jemi këtu sot. Ne hungarezët e çmojmë shumë këtë miqësi që ekziston prej një kohe të gjatë me popullin shqiptar. Historia jonë, përmes shekujsh, ka treguar që jemi së bashku dhe gjithmonë kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi që prej Skënderbeut dhe Janosh Huniadit e deri më sot”, nënvizoi zëvendësministri hungarez, Peter Sztáray.
Princi Leka Zogu tha se kjo vepër arti do të stolisë një nga arteriet qendrore të kryeqytetit.
Duke falënderuar kryebashkiakun Veliaj dhe zv.ministrin hungarez Sztáray, princi Leka u shpreh se “falë punës dhe këmbënguljes suaj historia do t’ju mbajë mend si artizanë të vërtetë të paqes dhe të vëllazërisë mes kombeve tona. Falënderoj në mënyrë të posaçme anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës, që kanë përzgjedhur këtë shesh në mes të Bulevardit “Zogu I”, si vendin e ngritjes së shtatores së Mbretëreshës Geraldinë, ata kanë përmbushur një amanet që vjen nga historia dhe kanë drejtuar gishtin nga aspirata e popullit shqiptar për pajtim kombëtar”.
Ceremonia e përurimit të statujës së Mbretëreshës Geraldinë u organizua nga bashkia e Tiranës me Ambasadën Hungareze. Statuja është realizuar nga skulptori Sandor Kligl dhe është një donacion i Ambasadës Hungareze për qytetin e Tiranës.
Mbretëresha Gerladinë ishte konteshë hungareze, para se të bëhej princeshë në vitin 1937, kur u fejua me mbretin Zog dhe Mbretëreshë nga prilli 1938, kur ata u martuan. Geraldina ose siç e quanin ‘trëndafili i bardhë i Hungarisë’, mbretëroi më pak se një vit, në prill 1939, së bashku me Mbretin dhe djalin dyditësh, Leka, u larguan nga Shqipëria. Në qershor 2002 ajo u kthye nga Afrika e Jugut për të jetuar në Shqipëri, pas shfuqizimit të ligjit që i kishte ndaluar me dekada hyrjen në vend. Nëna Mbretëreshë Geraldinë ndërroi jetë pesë muaj më vonë, në moshën 87-vjeçare, në Tiranë, ku u varros me nderime të larta shtetërore.//atsh///
ME SHUME LAJME
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.