Në kuadër të 140-vjetorit të lindjes së Fan S. Nolit dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua konferenca shkencore “Fan Noli poliedrik”.
Kjo konferencë vjen si një bashkëpunim midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por edhe kontributit të universiteteve të rretheve, si ai i Elbasanit dhe i Gjirokastrës.
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademisë së Shkencave.
Duke u ndalur te figura e Nolit, Koçi theksoi se qëllimi i konferencës është që të nxjerrë në pah Fan Nolin si një figurë e shumanshme poliedrike.
Për këtë arsye është parë e udhës që pjesa e parë e konferencës t’i kushtohet rrugëtimit historik të Nolit dhe pjesët në vijim kontributit të tij në themelimin e kishës apo përkthimit. Gjithashtu, Koçi mbajti dhe kumtesën me titull “Përvjetori i një Titani”.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, e cilësoi Nolin si një prej mendjeve më të ndritura që ka nxjerrë historia shqiptare dhe një person me formim enciklopedik të papërsëritshëm.
Sipas tij, Noli do t’i bënte nder çdo populli, gjuhe dhe historie.
“Le të japin të gjithë së bashku kontributin tonë që kjo figurë të ndriçohet më mirë në këtë përvjetor”, tha Gjinushi.
Në konferencën maratonë dhanë kontributin me kumtesat e tyre shkencore: prof. dr. Fatos Tarifa me “Fan Noli, një zë i fuqishëm për pavarësinë e Shqipërisë nga përtej Atlantikut”; prof. dr. Ksenofon Krisafi, me “Noli në Lidhjen e Kombeve”; akademiku Pëllumb Xhufi me kumtesën “Noli dhe përpjekja e dështuar e 1924-ës”; prof. dr. Hamit Kaba, me “Dilemat e Nolit për regjimin politik në Shqipëri: Zogu dhe Enveri”; akademiku Beqir Meta me “Fan Noli dhe çështja kombëtare shqiptare në periudhën e luftës së ftohtë 1945-1965”; prof. ass. dr. Marenglen Kasmi me “Fan Noli dhe qeveria e tij në dokumentet e legatës gjermane në Tiranë”; akademiku Vasil Tole me “Fan S. Noli dhe rëndësia e tij si kompozitor”; prof. ass. dr. Ardit Bido me “Roli i Fan Nolit në krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare”.
Gjithashtu dhanë kontributin e tyre edhe dr. Kastriot Gjika me kumtesën “Fan Noli poet e shkrimtar, perceptimi historik i veprë së tij letrare”; prof. ass. Zaho Golemi me “Koncepti i Nolit për ushtrinë dhe xhandarmërinë”; prof. ass. Rudina Mita me “Bashkëpunimi i Nolit me Aqif pashë Elbasanin”; prof. ass. Shyqyri Hysi me “Figura e Fan Nolit në faqet e gazetës Drita të Gjirokastrës 1920-1924”; prof. ass. dr Vjollca Osja “Noli dhe përkthimi”; Bedri Zyberi me “Krijimtaria letrare e Nolit, aspekte të veçanta të saj” dhe Andrea Llukani me “Kontributi i Nolit në përkthimet liturgjike”./atsh///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade