SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Bashkia e Sarandës rifreskon projektet e binjakëzimit me Korfuzin, pas pandemisë

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ Bashkia e Sarandës shprehu vullnetin të rivendosë dhe intensifikoje urat e bashkëpunimit me homologët e Korfuzit fqinj, ndërkohë që bashkia e Korfuzit në Greqi, është e para bashki jashtë vendit më të cilën Saranda është binjakëzuar.

Pas gati dy vitesh izolim për shkak të pandemisë, në bashkinë Sarandë është realizuar takimi i parë mes drejtuesve të bashkisë Sarandë dhe të Korfuzit.

Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma, priti homologen e vet nga ishulli i Korfuzit, Meropi Idhreu dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak, Dhimitris Metallinos.

Kryebashkiakët shkëmbyen mendime për profilin e përbashkët turistik, për prurjen turistike në rritje, për fashën e turizmit, kapacitetet akomoduese dhe investimet në infrastrukturë.

Dy homologët në këtë takim ndanë mendimin e përbashkët se të dy bashkitë, mund e duhet të përfitojnë nga turizmi i integruar, në kontekstin që çdo turist që vjen në Korfuz të vijë edhe në Sarandë e anasjelltas, duke diversifikuar ofertat. Ata folën konkretisht për ndryshimet në infrastrukturë dhe se si funksionojnë vendgrumbullimet e mbetjeve urbane në të dy qytetet.

Një moment i veçantë i bisedës mes tyre, ishte ai që lidhet me mungesën e burimeve njerëzore në shërbim të turizmit, duke u bashkuar në idenë se shkollat profesionale që funksionojnë në të dy qytetet, shtojnë shanset që të faktorizohen më shumë, nëse shkëmbejnë eksperienca mes tyre.

Gjatë këtij takimi nga homologët korfiotë, është mirëpritur kërkesa e kryebashkiakut Adrian Gurma për të patur asistencën e Korfuzit fqinj në realizimin e projektit që Saranda, të ketë së shpejti Orkestrën Frymore të Fëmijëve, si dhe për të garantuar vijimësi në projektin futbollistik për t’u takuar në Sarandë çdo vit “Legjendat e Futbollit”, përfshirë ekipin e veteranëve korfiatë, të penguar vitin e kaluar nga pandemia.

Bashkiakët e dy qyteteve fqinje, me histori binjakëzimi rreth 30-vjeçare, shprehën vullnet të plotë për bashkëpunim të ngushtë, në të gjitha fushat, duke shpeshtuar kontaktet dhe komunikimin e konkretizuar me projekte dhe realizime.///

error: