Si sot më 5 mars të vitit 1891, u lind në Korçë ati i pikturës moderne shqiptare, Vangjush Mio.Në gjallje, Mio u vlerësua më së larti për mjeshtërinë e dëshmuar në pikturën realiste shqiptare. Ndërsa në ditët tona, i njihen edhe atributet e themeltarit të historisë së artit pamor profesionist përgjatë shekullit të XX-të. Kësodore, vepra e tij qe mënjanë klisheve të diktuara me përdhunë nga kornizat e realizmit socialist.
Mësimet e para i ndoqi në vendlindje. Talenti për pikturën gjeti shteg për t’u shpalosur që prej auditorit të Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, ku kreu studimet e larta. Kthimi në Korçë në vitin 1919, do të shënjohej nga hapja e ekspozitës së parë vetjake, e para në historinë e arteve figurative në vend. Fitimet e akumuluara nga shitja e këtyre pikturave, i mundësuan një bursë studimesh në Institutin e Arteve të Bukura të Romës, ku u certifikua njëherazi si piktor dhe restaurues.
Mes gjinive të pikturës të lëvruara prej tij bëjnë pjesë portretet, kompozimet, nudot dhe peizazhet, që kanë prani të konsiderueshme në tërësinë e veprës së tij. “Dimri në Korcë”, “Aspekte nga Drenova”, “Dishnica”, “Boboshtica”, “Vithkuqi”, “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit” etj, janë disa nga titujt e peizazheve të tij më të lakuar.Mio numëron 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij, Muzeun “Vangjush Mio” në Korçë./atsh///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI