Nga Odise KOTE
82 vjeç sot. U bëftë shekullor.… në krye të Sokakut të të Marrëve, ngrihet shtëpia trekatëshe e personazhit më të famshëm të Gjirokastrës, Sotiraq Paskalit. Shtëpia, së bashku me bashtinën plot pemë, mureveshur e gjitha me sarmaçe, është galeri arti, bibliotekë në qindra kopje librash, arenë cirku, sallon muzike e pikture, palestër stërvitjeje, ofiçinë për gjithfarësoj mjetesh dhe një oaz lulesh e trëndafilash që s’i gjen askund. Krijon menjëherë përshtypjen që brenda saj gjen gjithçka, marrëzinë, dritën, zejen, sakrificën, intelektin, muzikēn, forcën, ekstravagancën, ngasjen, madje dhe përdëllimin e mëshirën. Jeta e Sotiraq Paskalit është ajo e bohemit, artistit, shkencëtarit, njeriut të lirë që s’ka Enciklopedi, Roman apo Anuar Bibliotekash në botë që mund ta nxjejë e përmbushë të gjithin.
Mjek veterinier, themelonjës i cirkut të parë, piktor e skulptor me ekspozita brenda e jashtë vendit, shkrimtar e poet me 21 vëllime, muzikant, zbutës kafshësh të egra, kampion kombëtar në shtangë, mundje, atletikë etj Paskali e jetoi ashtu si deshi jetën e vet.Qytetar Nderi i Gjirokastrës, Qytetar Nderi i Qarkut, Mjeshtër i MADH i Punës, Naim Frashëri e dhjetra tituj të tjerë të dhëna gjatë jetës, janë thjesht titujt që na kujtojnë se sa e çuditshme dhe e pakufishme, e gjerë dhe plot të panjohura është jeta e njeriut. Tashmë i vetëm, (e shoqja është ngjitur në qiell dhe tre fëmijët i jetojnë në Europë), Paskali i madh i Gjirokastrës vijon jetën e tij aktive, punon, stërvit një grup artistësh të cirkut, pikturon e çel ekspozita, kompozon e shkruan letërsi midis rrëmujës së librave në atë kthinën e katit të parë.
Mbushi 82 vjeç dhe ju mblodhën miqtë e bekuar, bashkëkohës të mbetur ende në jetë që i organizuan një Festë surprizë. Folën e sollën kujtime për “bëmat e çuditë” e Paskalit, që nga lundrimi në lumin e egër Vjosa, me trap, prej Përmetit në grykëderdhjen e Fierit, tek “xhirot” e famshme me arushën Zana kalldrëmeve të Gjirokastrës. Nga kjo Festë e jashtëzakonshme po veçoj dy detaje të “vogla”:. Një ishzyrtar, koleg i tij në Komitetin e dikurshëm Ekzekutiv nisi të flasë për vlerat e Paskalit, por rrëfimin sipas zakonit shqiptar të Belulit e rrotullonte nga vetja. Bezdia ndër miqtë u bë kaq e madhe sa mezi po e përmbanin mosaprovimin.Qetësisht Paskali ngrihet, e rrëmben me dy duart e forta, e ngre lart gati në tavan dhe pas saj, lëshon batutën e tij lapidare: Epo pusho njëherë more…, e mban mend?Atëherë të ngrija lart të gjithin vetëm me një dorë…Pas kësaj batute, të qeshurat shpërthyen vullkan duke rikthyer menjëherë atmosferën e gëzimit e të sinqeritetit njerëzor. Dhe detaji i dytë, është falenderimi i Paskalit për miqtë e tij dhe banorët e Gjirokastrës :
– O të dashurit e mi! Njerëz më të mençur e më të shtrenjtë se ju, jam i bindur që nuk do të takoj dot as në parajsë …! Ia kam thënë këto fjalë Shën Pjetrit dhe ai m’i ka miratuar!Fjalë të arta, të thëna nga Paskali i madh, që duhen gdhendur në çdo mur të Gjirokastrës …/SARANDANEWS.AL///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI