Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro duke e cilësuar “Ballkanin e Hapur” si një koncept që hap dyert, u shpreh sot nga tryeza e Samitit të Ohrit për krijimin e një harte të përbashkët turistike me vendet e Ballkanit, për të thithur një numër më të madh turistësh nga tregjet e largëta.
Në fjalën e saj në panelin kushtuar turizmit, në kuadër të samitit “Open Balkan” që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ministrja Kumbaro tha se “nëse do flisnim për një ribrandim të Ballkanit për të hequr konotacionet që na lë e kaluara, ‘Ballkani i Hapur’ është një ribrandim i mirë i së ardhmes në të cilën ne duam ta çojmë Ballkanin, si një vend ku njerëzit të kenë mundësi të qarkullojnë njësoj si lumenjtë dhe zogjtë që nuk kanë nevojë për viza dhe orë pritje nga një ambasadë në tjetrën, por edhe si një rajon që të ardhmen e shikon tek integrimi evropian”.
“Ky brand që po ndërtohet prej disa kohësh është një brand i mirë, i ri, por ndoshta metaforën më të mirë e gjen tek bashkëpunimi në sektorin e turizmit”, tha Kumbaro.
“Ajo çfarë duam të arrijmë përmes gjithë punës përgatitore dhe shkëmbimeve që kemi pasur qoftë në nivel ministrash, por edhe me kolegë të tjerë në rajon përfshi Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën, është ideja e një tregu të hapur, ku turizmi ka më shumë vlerë se sa thjesht një mall. Është pa dyshim një mall ekonomik turizmi, në kuptimin më të mirë të fjalës, të cilin kemi interes ta bëjmë me vlerë të shtuar, ta shtojmë, ta qarkullojmë, ta begatojmë. Por turizmi ka një vlerë tjetër të rëndësishme, që është vlera e edukimit dhe emancipimit të shoqërive tona, për të hequr atë barrë që historia na i ka lënë si peng. Turizmi është jo thjesht një treg ekonomik, por edhe mundësi emancipimi për vendet tona. Kjo do të prodhojë pa dyshim edhe ekonomi”, nënvizoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro vuri në dukje se “në 3-4 vitet e fundit kemi 2-3-fishim të vizitorëve nga Serbia, me rritje 110 %, rritje të vizitorëve nga Maqedonia e Veriut, kemi numër të rritur prej vizitorëve nga Kosova. Do dëshiroja shumë edhe nga Mali i Zi në radhë të parë, për të njohur njëri-tjetrin, por edhe për të ndarë edhe asetet tona”.
“Nëse i referohemi gazetës “The Guardian” për 40 plazhet më të bukura të botës, radhiste mes tyre plazhet e vendit tonë”, tha Kumbaro.
Duke folur për tendencat e zhvillimit të turizmit në Shqipëri, Kumbaro njoftoi edhe panairin e gastronomisë dhe turizmit që po organizohet mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Kemi nisur punën për të përgatitur një projekt të ri dhe një seri të re se si ta promovojmë veten tonë përmes këtij atraksioni që është ushqimi, vera dhe pijet, përmes krijimit të panaireve të përbashkëta. Do të jetë panair që ka një emër po kaq të thjeshtë dhe po kaq të bukur sa iniciativa “Open Balkan”, të parin e të cilit po e përgatisim shtatorin e ardhshëm, i konceptuar si një panair shëtitës në tre vendet tona dhe me shpresë dhe besim që do të shëtisë edhe në vendet e tjera që do të na bashkohen”, tha Kumbaro.
Memorandumi i nënshkruar në Ohër mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Ministrisë së Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, synon bashkëpunimin mes tre vendeve në zhvillimin e planeve strategjike për zhvillimin e industrisë së turizmit, kuadro të përbashkëta ligjore dhe rregullative të sektorit, shkëmbimin e të dhënave statistikore, promovimin e ndërsjelltë të turizmit, shkëmbimin e eksperiencave në fushën e menaxhimit të sektorit të turizmit etj.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.