– Ministrat e Turizmit të Shqipërisë dhe Kosovës kanë prezantuar sot në Prishtinë, në mbledhjen e 8-të të përbashkët mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimit për krijimin e një platforme të përbashkët digjitale të informimit dhe promovimit turistik. Getoar Mjeku, zëvendësministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, tha se zhvillimi i qëndrueshëm mes dy vendeve në fushën e turizmit është një nga përparësitë e qeverisë së Kosovës.

“Dy vendet tona mund ta arrijnë potencialin në fushën e turizmit duke bashkëpunuar ngushtësisht në sektorë komplementarë, me qëllim zgjerimin e ofertës turistike. Platforma e përbashkët digjitale në fushën e turizmit do i paraqesë dy shtetet tona si një cak i përbashkët, me informacione të ndryshme që do u shërbejë qytetarëve të dy vendeve tona, që përbëjnë pjesën më të madhe të turistëve në Shqipëri dhe Kosovë dhe do të informojë vizitorët e huaj që shpesh po zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipërinë”, tha Mjeku.
Ministri kosovar theksoi se, marrëveshja e sotme është një hap i rëndësishëm për sipërmarrje konkrete në fushën e turizmit dhe shembull që industritë tona mund të bëhen më konkurruese në tregjet e huaja.
Duke marrë fjalën në takim ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi se, “mbi 575 mijë vizitorë nga Kosova, kanë hyrë në Shqipëri në 4 muajt e parë të këtij viti, ose 10 % më shumë se vitin e kaluar”. “Shqipëria nuk ka veç detin, por edhe malet, si dhe pasuri të mëdha kulturore dhe historike. Kemi të përbashkëta bjeshkët dhe detet Adriatik e Jon. Në këtë kuptim na duhet ta konsiderojmë hartën turistike si një hartë të përbashkët, ku kufiri nuk ka kuptim, prandaj që ta mbështesim këtë dhe duke konsideruar që turizmi është perspektivë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, që gjeneroi vitin e kaluar 10.6 % të PBB-së, na duhet të krijojmë itinerare të përbashkëta që turistët të kenë më shumë mundësi, sidomos për tregun turistik që vjen prej së largëti nga Azia, SHBA Australi etj., të cilët nuk vijnë vetëm për Shqipërinë, por vijnë për në Ballkan”, tha Kumbaro, teksa vuri në dukje se, krijimi i një platforme të përbashkët digjitale me informacione u vjen në ndihmë turistëve të vijojnë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.
“Këtë synojmë përmes këtij mekanizmi, të zgjerojmë tregun turistik Shqipëri-Kosovë në tregjet e Ballkanit dhe më gjerë”, tha Kumbaro.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade