Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot në një deklaratë për mediet se do të jetë një nga deputetet nismëtare për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për të diskutuar menaxhimin e Parkut të Butrintit.
“Është fat që Presidenti i Republikës e ktheu ligjin për koncesionin e Butrintit duke dhënë dhe arsyet shteruese shumë të qarta për arsyet e këtij mosdekretimi. Sot edhe shqiptarët patën mundësinë të dëgjonin nga Presidenti i Republikës se pse ky ligj i koncesionit të Butrintit është një ligj antikushtetues, një ligj që bie në kundërshtim me Konventën e Parisit, një ligj që shkel ligjet e tjera të shtetit shqiptar dhe që është në kundërshtim me ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, të identitetit kombëtar dhe të pasurisë kulturore”, tha Zhupa.
“Sot Presidenti Meta tregoi edhe një herë se pse është i padëshiruar për mazhorancën e Partisë Socialiste, se pse ai ka qëndruar edhe kësaj here si garant i Kushtetutës, i mbrojtjes së pasurisë publike, identitetit kombëtar dhe interesave të publikut”, theksoi Zhupa.
“Realisht më vjen mirë që në argumentimin e Presidentit janë marrë parasysh dokumentet të çuara në një shkresë zyrtare nga ana ime në Presidencë, teksa kam vënë theksin se ky ligj ishte antikushtetues, ishte në kundërshtim me atë që parashikon menaxhimi i parqeve të kësaj rëndësie nga UNESCO dhe mbi të gjitha vinte në rrezik identitetin kombëtar shqiptar, por edhe për historinë tonë të përbashkët”, u shpreh ajo.
Zhupa nënvizoi se, “rrëzimi i këtij ligji nuk duhet të jetë mbyllja e çështjes së menaxhimit të Butrintit. Kolegët socialistë duhet të votojnë dekretimin për rrëzimin e këtij ligji”.
“Duhet të hapet një diskutim dhe një formë e re menaxhimi. Nuk duhet të përjashtojë privatin, pra të përfshihet në formën e një donatori”, tha Zhupa.
“Sugjerohet që kjo iniciativë të diskutohet bashkë me dekretin e Presidentit. Do jem një nga deputetet nismëtare për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për të diskutuar menaxhimin e Parkut të Butrintit”, theksoi Zhupa.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit