“Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit”. Kështu është shprehur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në lidhje me deklaratat e Presidentit Ilir Meta.
“E konsideroj këtë deklaratë të pasaktë, të pavërtetë. Shteti nuk heq dorë nga asnjë përgjegjësi kur flitet për trashëgimitë kulturore publike. Edhe nëse në arën e një bujku që është pronë private e bujkut dhe gjatë gërmimeve dalin vepra arkeologjike, ato janë me ligj pronë publike. Në të njëjtin ligj parashikohen dy forma të administrimit: direkte dhe indirekte. Direkte janë forma si parku i Apolonisë, Teatri i Operës dhe Baletit apo të tjera, me varësi nga Ministria e Kulturës. Është edhe një formë tjetër që janë fondacionet që janë e drejtë e çdo institucioni kulturor të pushtetit lokal apo qendror, të krijojnë fondacione kulturore që të tërheqin dhe fonde të tjera. Meqë përmendi Konventën e Parisit të Trashëgimisë Kulturore Presidenti, i kujtoj atij nenin 17 të kësaj konvente i cili thotë: “Neni 17 parashikon se shtetet palë të kësaj Konvente do të konsiderojnë dhe inkurajojnë themelimin e fondacioneve ose shoqatave vendase publike dhe private qëllimi i të cilave është të ftojnë donacione për mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe natyrore të përcaktuar në nenet 1 dhe 2 të Konventës.” Fondacioni është rasti kur dhurohen para për një destinacion të caktuar kulturor, me qëllime jo fitimprurëse”, tha Kumbaro gjatë një emisioni televiziv.
Presidenti i Republikës në një deklaratë për mediet tha se është e papranueshme që për pasuri të tilla si Butrinti, me rëndësi historike, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi.
Ministrja Kumbaro sqaroi më tej se Ministrisë së Kulturës nuk i është hequr asnjë atribut ndaj Parkut Kombëtar të Butrintit.
“Butrinti nuk i është dhënë askujt, Ministria e Kulturës mbetet administratore e patjetërsueshme e parkut të Butrintit. Kjo nuk i heq Ministrisë së Kulturës asnjë atribut për menaxhimin e parkut”, ka thënë më tej ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro./ata///
ME SHUME LAJME
Zbardhet dinamika e vrasjes në Sarandë, shpallet në kërkim autori dhe pesë të tjerë
Kulturë. Përkthyesi Vangjel Zafirati boton në Greqi antologjinë me poezi bashkohore shqipe “VARGJET QË VRANË POETIN”
Një karrocë fëmijësh për kryeministrat