SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama për “France 24”: Për ne Europa është fe, destinacion që nuk vihet në diskutim

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë për televizionin francez “France 24”, se “Shqipëria nuk ka bërë progres të ngadaltë drejt Bashkimit Europian, por BE është ngadalësuar shumë drejt të ardhmes së saj”.

“Ne pamë një shfaqje të paprecedentë të këtij ngadalësimi dramatik dhe një lloj dobësie përballë marrjes peng nga një vend anëtar i NATO-s, që quhet Bullgari, të dy vendeve anëtare të NATO-s, që quhen Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut, dhe nuk është aspak një zhgënjim i ngjashëm me atë të mëparshmin. Dikur zhgënjehesha, tani jo më me veten tonë, por më shumë me Europën. Është e trishtë dhe më vjen vërtet keq për Europën dhe nuk e di se si mund ta ndihmoj”, tha Rama.

Duke iu referuar samitit BE-Ballkani Perëndimor, Rama theksoi se “në sallë ndodheshin të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe të gjithë liderët dhe nuk dëgjova asnjë prej tyre të shprehte keqardhje për mospërmbushjen e premtimeve qe na dhanë neve dhe Maqedonisë së Veriut”. Kjo, sipas tij, “është një gjë që të trishton dhe të bën të ndihesh i keqardhur”.

Nga ana tjetër, Rama tha se “shqiptarët janë komuniteti më pro-europian dhe pro BE-së dhe kjo gjë bazohet në historinë”.

“Është shumë e qartë që nuk ka alternativë tjetër, nuk ka mënyrë tjetër dhe gjithashtu është shumë e qartë se BE është një gjë dhe Europa një gjë tjetër, në lidhje me përkatësinë tonë në këtë hapësirë. Pra, BE sot është një gjë dhe Bashkimi Europian si projekt, si vizion, si një ide e mrekullueshme e njerëzimit është diçka tjetër. Për ne, Europa është fe dhe nuk vihet fare në dyshim ky destinacion për ne. Do të vazhdojmë rrugën drejt saj me çdo çmim dhe vend anëtar apo jo anëtar, herët a vonë, nuk është kjo ajo që ka rëndësi. E rëndësishme është që të ndërtojmë në vendin tonë dhe në rajonin tonë një realitet si ai i BE-së për sa i përket standardeve, funksionimit të institucioneve, marrëdhënieve midis vendeve. Kjo është pra. Për të qenë i sinqertë, ne nuk erdhëm këtu me mendimin se do të ndodhte diçka ndryshe”, shtoi ai.

I pyetur mbi propozimin e Presidentit të Francës, Emanuel Makron për komunitetin politik europian, Rama konfirmoi se “ne e mbështesim plotësisht”.

“Nuk është një alternativë. Edhe një herë, është një ide e re, një qasje krijuese ndaj një realiteti qartësisht problematik. Ajo që po ndodh është e turpshme dhe pastaj thonë se Vladimir Putini na qenka sëmurë. Në rregull, ai mund të jetë vërtet sëmurë, edhe mund të mos jetë, por ajo që po ndodh këtu nuk është gjë e shëndetshme. Është diçka tjetër përveç të shëndetshmes. Në këtë kuptim, mendoj që komuniteti i ri politik europian është ide e shkëlqyer. Nuk është hera e parë që një president francez propozon një ide që është, të themi, një përpjekje për të riorganizuar arkitekturën e Europës, pasi Nikolas Sarkozi e ka bërë më parë këtë, por në njëfarë mënyre mua më duket më e ndershme dhe më e drejtpërdrejtë”, tha Rama.

Ndërkohë, lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës, Rama tha se “është mirë që u jepet statusi, pasi është vërtet një nxitje që funksionon për vendet”.

“Statusi i vendit kandidat është një lloj pilule antidepresive, që të jepet për të të ngritur moralin, për të të rritur hormonet për të ecur përpara për njëfarë kohe, por pastaj kupton që ka shumë më tepër për të bërë. Gjëja e vetme që shpresoj është që ukrainasve të mos u duhet të presin edhe 170 vjet, siç maqedonasit po presin prej 17 vjetësh. Ka të bëjë vetëm me këtë. Por gjithsesi është mirë që u jepet statusi, pasi është vërtet një nxitje që funksionon për vendet. Ukrainasit e dëshironin shumë dhe e meritojnë, absolutisht e meritojnë. Ata mund të jenë prapa me reformat, por ata po ndalojnë avancimin e kundër-reformës më të frikshme në të gjithë botën, që Putini synon ta diktojë. Nuk e kam çuar kurrë nëpër mend që kjo është e padrejtë. Është shumë e drejtë që ukrainasit të vlerësohen si një komb që po bën së tepërmi për ne të gjithë”, tha ai. /atsh///

error: