Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot familjen e Anri Kashikut, në Durrës, për t’i shprehur ngushëllimet.
Rama është takuar me familjarë të 18-vjeçarit, të cilët mes lotëve e hidhërimit të thellë kanë pritur kryeministrin.

Me lule në duar dhe i shoqëruar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryeministri i ka shprehur ngushëllimet familjarëve për dhimbjen e madhe pasi 18-vjeçari, Anri Kashiku, dha jetën e tij duke shpëtuar dy jetë, vëllain e vogël dhe shokun e tij.
Kryeministri Rama i ka dorëzuar familjes certifikatën e shpalljes “Dëshmor i Atdheut” për Anri Kashikun.
“Sipas ligjit të ri që kemi bërë ne dhe që lidhet me aktet e heroizmit, se ai shpëtoi dy jetë, ai shpallet “Dëshmor i Atdheut””, tha Kryeministri Rama.

“Ngushëllime! Në familjen e Anri Kashikut, heroit që dha jetën e vet për të shpëtuar dy jetë, vëllain e vogël dhe shokun e tij”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale, teksa ka publikuar dhe pamje nga kjo vizitë.
Anri Kashiku humbi jetën dje në moshën 18-vjeçare në Sektorin Rinia, Durrës, i cili u fut në det për të shpëtuar dy fëmijë të mitur dhe vëllain e tij.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet e ditur se, për të ndihmuar fëmijët, në det janë futur edhe roja bregdetare dhe shtetasi A. K., vëllai i njërit prej të miturve.
“Pas ndihmës së dhënë, fëmijët janë nxjerrë në breg, ndërkohë që 18-vjeçari A. K. nuk ka mundur të dalë dot pasi është mbytur për shkak të dallgëve të larta”, informoi Policia.
“Nga ana e punonjësve të Policisë të DVP Durrës dhe DVKM Durrës është ndërhyrë menjëherë dhe pas rreth 50 minutash është gjetur dhe nxjerrë nga uji, trupi i pajetë i shtetasit A. K.”, thuhet në njoftim./atsh///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI