SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Tabaku: Votimi në Maqedoninë e Veriut i hap rrugë Konferencës Ndërqeveritare për Shqipërinë

 Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian dhe deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka përshëndetur votimin sot nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të propozimit franceze që i hap rrugë integrimit në BE.

Ajo thekson se votimi i sotëm në Maqedoninë e Veriut i hap rrugë Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë gjithashtu.

“Mbas 9 vitesh dështimesh në procesin e integrimit, pas ilariteteve të medaljeve për një proces që kish mbetur në vendnumëro prej qeverisë, pas serive të gjata me ankesa tanimë nuk ka më asnjë alibi për qeverinë Shqiptare. Duhet nisur nga puna për ngritjen e strukturave për tu përballur me procesin dhe sfidat. Kjo do të thotë se qeveria duhet ta kthejë integrimin në prioritet kombëtar, duhet të përshtasë strukturën ekzistuese sipas metodologjisë së re duke u përshtatur me atë çka kërkohet. Që do të thotë të mos sillemi si deri më tani, të mos shohim interesin politik të ditës; pushtetin e ditës; përfitimin e ditës; kontratën e ditës a koncesionin e radhës: Të rinjtë po largohen masivisht; bizneset po mbyllen, mundësitë në tregje janë duke u ngushtuar, konkurrenca e pandershme po largon sot trurin! Pra, ky proces ka nevojë dhe domosdoshmëri të përmbushen realisht kriteret. Tani jemi në provim dhe nuk mund të gënjejmë më askënd!”, tha ajo

Tabaku shton se hapja e konferencës të parë ndërqeveritare do të thotë një mundësi për të rritur kontrollin dhe monitorimin ndaj qeverisë.

“Kjo është një tjetër rrugë për t’ia kthyer demokracinë qytetarëve, për të rikthyer zgjedhjet e lira e të ndershme, balancën e pushteteve dhe t’i jepet zgjidhje reale problemeve qe ka sot Shqipëria e braktisur! Fatkeqësisht na është paraqitur një Europë që nuk ka interesin e shqiptarëve kur në fakt ajo ka qenë këtu gjithë këto vite. Sa herë që Shqipëria ka pasur nevojë Europa ka qenë këtu, sot duhet të jetë Shqipëria gati për te nisur këtë rrugëtim! Së fundi, një falenderim vëllazëror për Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që kanë kontribuar në këtë proces po aq sa kushdo e mbase edhe më shumë. Le ta përdorim integrimin si shpresë dhe mundësi për Shqipërinë! Ky është procesi i Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thekson ajo///

error: