Rruga e re Palasë-Dhërmi, e lidhur me tunelin e Llogorasë, do të lehtësojë ndjeshëm trafikun dhe do të rrisë cilësinë e shërbimeve në zonë. Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa publikoi në rrjetet sociale foto nga punimet në këtë aks.
“Në aksin Palasë-Dhërmi, ku po zhvillohet një program i tërë investimesh në hotele me 5 yje që do ta ngrenë turizmin e Jonit në një nivel tjetër, po punohet edhe për rrugën e re të lidhur me tunelin e Llogorasë, e cila do të lehtësojë ndjeshëm trafikun e do të rrisë cilësinë e shërbimeve në zonë”, shkruan Kryeministri. Po ashtu, Rama informoi se “kanë përfunduar të gjitha veprat e artit dhe ndërtimi i sistemit terramesh”.
Rruga Palasë-Dhërmi me gjatësi 4.45 km, pjesë e aksit Orikum-Himarë, është një vepër me rëndësi strategjike për turizmin në rivierën e Jonit.
Aktualisht ka nisur puna për hedhjen e shtresës së parë të asfaltit. Sipas ARRSH-së, punimet kanë ecur me ritme të larta në këtë kantier, ku ka përfunduar ndërtimi i trupit të rrugës së bashku me zgjerimin nga kilometri 0 deri në kilometrin 2.5. Projekti parashikon ndërtimin e disa rrugëve sekondare për aksesimin e zonave turistike të banuara, si dhe akses me dalje në tunelin e Llogorasë.
Në total ndërtimi i rrugës do të kushtojë 16 milionë dollarë. Rruga do të jetë e një kategorie të lartë për sa i përket sigurisë rrugore, ndërsa pritet të përfundojë në fillim të sezonit të ardhshëm veror.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI