
Nga Timo MERKURI
Sot është një ditë e trishtë në Himarë, era vjen si kuje e stërkalat mbi shkëmbinjtë e bregut bien si lotë. Zogjtë heshtën, kënga isopolifonike u rikthye në origjinën e saj vajtimore dhe: “mbi një gur anës së detit qan Himara, qan”.
Sot pushoi së rahuri zemra e Dhimitër Varfit, Zotit të vërtetë të këngës himariote dhe s’ka zemër bregasi që nuk u drodh nga kjo goditje e voltazhit të lartë. Sepse Himara ka “valëvitur” si flamur krenarie këngët e Dhimitër Varfit (me tekst të Neço Mukos) ato këngë që dhe Zoti vetë i dëgjonte me mahnitje. Askush si Dhimitër Varfi gjer më sot nuk e lëmoi këngën himariote gjer në shkëlqimin e dritës, askush gjer më sot nuk futi te zërrat e këngës himariote flladin dhe tramudanln e detit bashkë, përzier me erën dhe aromën e malit në prill në një paqe ungjillore ullinjsh.
Askush si ai gjer më sot nuk e vuri zemrën himarjote si shenjë identiteti në flamurin e këngës, që rrihte në valëvitjen e isos së saj. Ai na bëri të ecnim me ballin lart te krenaria dhe të ishim të pranishëm dhe aty ku mungonim, mjaftonte të shkonte kënga jonë. Ai u bë pjesë e jetës sonë, rritëm i rrahjes së zemrave tona, ndaj sot ndjejmë një shtrëngim në gjoks, një dhimbje që më kot mundohemi t’a fshehim, por nuk e ndalim dot lotin, që me gjëmime të heshtura rrokulliset faqeve. Na ka hije loti për ty o Dhimitër Varfi, siç na kishte dje hije kënga bashkë me ty. Ishe i këngës dhe në parajsën e këngës do jesh . Këngë t’u bëftë në këtë përcjellje edhe vaji ynë.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI