Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro beri te ditur se, kanë nisur që tani përgatitjet për sezonin e ardhshëm turistik, në mënyrë që i gjithë procesi për vitin 2023 të mbyllet brenda këtij viti.

Në një takim të parë me kryetarët e bashkive bregdetare, prefektët, Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe AZHT, Kumbaro ka listuar prioritetet për vitin tjetër, duke nisur nga rritja e sipërfaqes minimale të detyrueshme ligjore të plazheve publike.
“Kemi pasur një sezon të mbarë për nga numri i vizitorëve të huaj, që deri në fund të muajit gusht kanë qenë 5,6 milionë, duke tejkaluar jo vetëm vitin 2021 por edhe se viti 2019. Megjithëse vitin e kaluar e nisëm procesin e ndarjes së plazheve më herët se çdo vit, duhet sërish ta përshpejtojmë. Thirrja për aplikim për marrjen ne menaxhim të stacioneve të plazhit për vitin e ardhshëm, duhet të jetë brenda muajit nëntor. Gjithashtu sipërfaqja minimale e detyrueshme ligjore në çdo bashki, që prej disa vitesh është 20%, do të rritet për vitin tjetër. Për këtë do të ndërhyjmë në VKM”, tha Kumbaro.
Në takimin e zhvilluar është përcaktuar edhe certifikimi i operatorëve turistikë detarë në përputhje me legjislacionin në fuqi, caktimin e pikave të ankorimit të mjeteve lundruese, përcaktimi i qartë i zonave ku lejohet muzika pa limit dhe hartimi i planit të zhurmave nga çdo bashki.
“Përveç punës me hartat e plazheve, çdo bashki duhet të nisë që tani komunikimin publik, në mënyrë që të informohen të gjitha subjektet mbi datat e aplikimeve. Sistemi do të hapet vetëm një herë, sepse është mënyra e vetme për të shmangur konfliktet e mundshme. Parcelat që nuk do të merren për administrim nga privati, menjëherë do të kalojnë si parcela publike. Kontraktimi i vrojtuesve të plazhit është kusht i panegociueshëm, sikundër miratimi në AZHT i strukturave “beach bar” dhe shlyerja e detyrimeve tatimore të subjekteve”, shprehet Kumbaro. Nderkaq, kryetarët e bashkive kanë vlerësuar procesin e pastrimit në vijën bregdetare, që këtë vit u mbështet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit me operator shtesë në Himarë, Sarandë, Durrës dhe Kavajë duke mbështetur edhe propozimin për rritjen e sipërfaqes së plazheve publike. Sipas të dhënave të fundit, numri i vizitorëve të huaj nga janari deri në gusht ka qenë 5,6 milionë, rreth 1,3 milionë më shumë se viti i kaluar.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI