SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

PS mbështet ndarjen aktuale për reformën territoriale, PD kërkon referendum

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se “PS i qëndron ndarjes aktuale territoriale me 61 bashki dhe 12 qarqe”.

Në një prononcim për medie pas mbledhjes së grupit parlamentar, Balla iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi propozimin e PS-së për reformën territoriale.

“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit, të gjitha reformat janë përmirësuar, ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online, ndaj kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe”, tha Balla.

Ndërsa bashkëkryetarja e Komisionit për Reformën Territoriale, deputetja e PD-së Dhurata Çupi u shpreh se “vendimi i PS-së, për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës”.

“Është tallje me partnerët që u angazhuan në proces. Është tallje me parlamentin. Është shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proces të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë. Kështu ka bërë në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor. Edi Rama ka frikë nga vota. Përgjigjja e qytetarëve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve”, tha Çupi.//ATSH///

error: