Sulme vrastare, zhvatje, trafik droge… Aktiviteti i organizatave kriminale që drejtohen nga burgjet po rritet. Tani flitet për rekrutime të reja. Madje ka raportime edhe për përfshirje të policëve grekë në këtë aktivitete të paligjshme.
5 banda shqiptare që dyshohet se operojnë në burgjet e Greqisë Qendrore dhe Jugore janë përgjegjëse, sipas zyrtarëve të lartë të policisë greke, për sulmet e përgjakshme që po ndodhin muajt e fundit në Athinë. Në disa prej këtyre bandave ka raportime për “shërbime speciale” nga vetë policia greke pasi pjesë e tyre janë edhe oficerë të betuar.Fokusi kryesor për më shumë prej 15 sulme kriminale të ndodhura në periudhën e fundit është tek kontrolli i trafikut të kokainës dhe heroinës për zonat e ndryshme të kryeqytetit grek. Në radhë të dytë janë të ardhurat nga shtëpitë publike, klubet e natës, por edhe mbrojtja e bareve, kafeneve, etj.
Si u rritën shqiptarët?
Vrasja e dyfishtë e 2 shqiptarëve, pak ditë më parë, në një lokal plot me njerëz në Nea Smyrni në Athinë konsiderohet një shembull i qartë i rritjes, zgjerimit dhe demonstrimit të fuqisë së mafias shqiptare në vendin tonë. Zgjerimi i tyre u bë nga rekrutimi i “përmbaruesve” të rinj, disa prej të cilëve konsiderohen “të kushtueshëm”.
Sulmet në vende publike hapën një cikël të ri konfliktesh që lidhen me “dërgesa të humbura droge”, spiunime në polici, zgjerimi i territorit, bashkëpunëtorë të paqëndrueshëm apo mospagesa të gjobave. Policia greke po e shqyrton seriozisht mundësinë që sulmi në Nea Smyrni të lidhet me vrasjen, në maj 2021, të një krimineli shqiptar 32-vjeçar në një kafene në Sepolia. Nuk përjashtohet mundësia që ndoshta të jetë i njëjti autor. Për më tepër, ka prova të qarta se shumë nga sulmet e tanishme vijnë nga kriminelë shqiptarë – shumica e të cilëve janë të burgosur – të cilët ishin të lidhur me një bandë të madhe shqiptare që veproi në 2004-2008 në qendër të Athinës dhe gjetkë. Ajo ishte përgjegjëse për 11 vrasje në atë kohë.
Oficerët e policisë greke kanë gjetur madje “video” të mafiozëve shqiptarë në Athinë duke demonstruar kallashnikovët e tyre, apo si përplaseshin me policët e DIAS. Në disa prej tyre ata shfaqen si truproja të këngëtarëve të rinj të huaj të muzikës. Madje në një nga këto “videoklipe” ata kërcënojnë policët duke u thënë se “e dinë se ku ata jetojnë”.
“Banja e gjakut”
Ky përshkallëzim i aktivitetit të mafias shqiptare në vendin tonë është mbajtur shënim edhe në raportet e Europolit. Sipas tyre, janë aktive 15 organizata kriminale të vendit fqinj dhe degë të tyre, të cilat kanë lidhje me trafikun e kokainës. Ky aktivitet lidhet me shumicën e vrasjeve në Greqi. Ata kanë lidhje me Ndranghetta dhe Camorra në Itali, por edhe me rrjete kriminale në Kolumbi, Marok, Santo Domingo, Spanjë dhe gjetkë. Përveç kësaj, në trafikun e heroinës ata kanë kontakte me mafian italiane të Pulias.
Grupi i parë që tërhoqi vëmendjen e Autoriteteve Greke të Sigurisë ishte një organizatë e madhe kriminale që fillimisht operoi, siç u përmend më lart, në periudhën 2005-2008 duke shkaktuar mjaft gjakderdhje. 45-vjeçari Klaudian L., (Klodian Leokocaj shënim i lapsi.al) ish-bashkëpunëtor i një krimineli të vrarë grek, i ndaluar në burgjet e Korydallos dhe Kretës është konsideruar si figura kryesore e saj.
Klaudian L. akuzohet nga policia se ka drejtuar (edhe pse ai i mohon të gjitha akuzat) nëpër burgje një grup prej 20 anëtarësh shqiptarë, të cilët kryen një sulm të përgjakshëm në Mikrolimanos në vitin 2014 kundër klientëve të pabindur për dhënien e gjobave. Ata vranë një 44-vjeçar në një lokal në Metaxourgeio dhe sulmuan një avokat në Penteli në të njëjtën periudhë.
Shantazhet
Vrasja e avokatit Michalis Zafeiropoulos në 2017, pastaj 3 sulme të tjera kriminale ndaj bashkëqytetarëve në burgje u pasuan me grabitje të përgjakshme në qendër të Athinës. Me veprimtarinë e së njëjtës bandë disa vite më parë është marrë edhe Shërbimi Antiterrorist. Ai regjistroi përfshirjen e saj në zhvatjen e ish-ministrit dhe avokatit të ndjerë Dimitris Tsovolas, në grabitje dhe trafik droge, etj.
Të njëjtët të burgosur kriminalë shqiptarë qëndrojnë pas sulmit të 31 korrik 2022 kur u vra një 39-vjeçare rome. Ajo u qëllua për vdekje në rrugën Stratigou Makrygianni në Agia Varvara. Krimi në fjalë i atribuohet trafikut të drogës. Për këtë u arrestua një shqiptar, Hetri Tsovola.
Oficerët e policisë ndaj nuk përjashtojnë mundësinë që pas sulmeve të njëpasnjëshme që mori në qendër të Athinës 32-vjeçari Aristides P. fshihet e njëjta bandë. Ai u ekzekutua në maj 2021, në një kafene në Sepolia. 32-vjeçari kishte qenë anëtar i bandës së lartpërmendur, por ishte ndarë. Ai ishte marrë me aktivitete të ndryshme kriminale dhe dyshohet se është përplasur me ish-bashkëpunëtorët e tij.
“Kontratat e vdekjes”
Policia greke ka kthyer edhe një herë vëmendjen tani nga vrasja e Aristides P. Bëhet fjalë për 2 shqiptarë që u shpallën në kërkim në atë kohë, por më pas nuk u kapën dot. Ka dyshime se është e njëjta dorë që qëndron edhe pas vrasjes së fundit të 2 shqiptarëve në Nea Smyrni.
Në policinë greke thonë se janë 2-3 emra të huaj nga shteti fqinj që konsiderohen se janë thirrur në vendin tonë për të finalizuar “kontratat e vdekjes” dhe më pas të kthehen në vendlindje. Në kërkim është edhe një kriminel shqiptar, i cili konsiderohet si një nga urdhëruesit kryesorë të vrasjeve jo vetëm për mafian shqiptare, por edhe për atë greke. Nën dritën e këtyre ngjarjeve pati edhe një rikthim të vëmendjes tek qelitë e Klodian L. si dhe kriminelëve të tjerë shqiptarë në burgjet e Kretës ku u kërkuan prova.
Të ardhura marramendëse
Në raportet e policisë greke për krimin e organizuar thuhet se janë rreth 2500 anëtarë të grupeve kriminale. Ata kanë përfituar rreth 300 milionë euro nga aktivitetet kriminale vetëm për rastet e hetuara nga policia. 10-15% e aktivitetit kriminal lidhet me veprimtarinë e bandave shqiptare. Importi i kokainës në Greqi shkon deri në 10-15 tonë në vit. Ajo kap vlerën e më shumë se 500 milionë euro. 26% e trafikut të kokainës u përket bandave shqiptare. Ato kanë 31% të trafikut të hashashit.
Karuseli i krimit
Policia greke po shqyrton nëse pas “luftës” mes mafies shqiptare mund të fshihet një grup kryesor banditësh që ka marrë emrin e një lokali nate në Athinë. Sipas disa të dhënave nga hetimet e policisë, drejtues mund të jetë një kriminel i njohur shqiptar, i burgosur në Greqinë Qendrore. Ai është akuzuar për “kontrata vdekjeje” dhe arratisje. Ai vetë e mohon se është përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Në të njëjtin grup, sipas të njëjtave vlerësime të organeve të sigurisë është edhe një tjetër shqiptar i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, grabitje të armatosur, trafik droge, posedim të armëve dhe municioneve luftarake dhe arratisje nga burgjet. Shqiptari në fjalë, i cili u arrestua edhe për një ngarkesë të madhe kokaine në Greqinë Qendrore, duket se ka pasur kontakte – sipas një raporti të brendshëm të organeve të sigurisë – me zyrtarë të policisë greke dhe disa individë nga Kreta.
Sipas të njëjtave dokumente të brendshme, grupi e ndërpreu veprimtarinë e tij kur disa nga anëtarët u arrestuan për krime të tjera. Nën hetim është edhe një tjetër shqiptar, 37-vjeçari me iniciale F.D.. Ai është i dënuar me burgim të përjetshëm për grabitje me pasojë vdekjen në Athinë, për vrasjen në Selanik të një bashkatdhetari 25-vjeçar. Thuhet se ai ishte kontakt me të njëjtët kriminelë dhe për plagosjen e një personi të përfshirë në një rast të trafikimit të qenieve njerëzore në kryeqytet. F.D. u zbulua se kishte një kanal komunikimi edhe me planin e madh të arratisjes nga burgjet e Korydallos, në vitin 2015.
Së fundi, në të njëjtin hetim, policia po verifikon marrëdhëniet e F.D. me një 46-vjeçar shqiptar me pseudonimin “Takis”. Ai u akuzua për vrasjen e një bashkatdhetarit të tij në një lokal në Glyfada. Më pas u shpall i pafajshëm për shkak të për informacioni të pasaktë.
Megjithatë, ai po përballet me një akuzë të re për organizimin e vrasjes, në vitin 2014, të bashkatdhetarëve të tij që udhëtonin me një makinë SMART e cila u hodh ne erë me eksploziv në Attiki Odos. “Takis”, i cili gjithashtu mohon çdo përfshirje për shpërthimin mësohet se është arratisur në një vend europian.
Policia ka përqendruar vëmendjen edhe te një tjetër kriminel shqiptar me inicialet K. D., i cili gjithashtu ishte i përfshirë në bandën e lartpërmendur. K. D., i cili ishte akuzuar si për vrasjen e një ish-bashkëpunëtori të tij si dhe për një çështje droge, dyshohet se ka pasur një rivalitet të mëhershëm me Aristides P. të vrarë në Sepolia dhe gjithashtu me ish-bashkëpunëtorët e tij.
Madje, autoritetet e sigurisë kishin regjistruar më parë aktivitetin e një shqiptari që kishte tentuar të arratisej në mars të vitit 2013 nga burgjet e Trikalas. Arratisja nga ky burg çoi më pas në përgjakjen me grupeve të mafias shqiptare në Greqinë Qendrore dhe Veriore. ©Marrë nga To Vima. ///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI