Më 23 janar 1946, u arrestua Musine Kokalari.
Një prej intelektualeve më në zë të Shqipërisë, do të spikaste që në moshë të hershme për veprimtarinë e saj politike dhe letrare.
Në vitin 1939, ende në auditor, botoi librin e saj të parë “Siç më thotë nënua plakë”. Në vitin 1943, së bashku me një grup intelektualësh, themeloi Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, pas botimit të librit të saj të dytë “Rreth vatrës”, do të niste një kalvar përndjekjeje për familjen e saj. Më 12 nëntor të atij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më pas, do të arrestonin edhe Musinenë, e cila u mbajt në burg për 17 ditë. Pas arrestimit të janarit 1946, u dënua me 20 vjet heqje lirie.
Në vitin 1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. Në vitin 1981 u sëmur rëndë dhe pas dy vjetësh ndërroi jetë. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një letër të Kokalarit drejtuar Enver Hoxhës, të cilit i kërkonte shqyrtimin e internimit të saj dhe kthimin e dorëshkrimeve të saj folklorike. Në foto, paraqitet Kokalari me Drita Kosturin, bashkëstudente e saj në Romë.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI