Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar planin e shpalljes të zonës së mbrojtur mjedisore “Park Kombëtar Lugina e Vjosës” dhe ka zhvilluar dëgjesën e parë, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit nga grupi i ekspertëve shqiptarë e të huaj.
Në dëgjesën e zhvilluar ishte e pranishme dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila theksoi në postimin e saj në rrjetet sociale se, “dëgjesat e konsultimeve të tjera publike do të vijojnë në Vlorë, Tepelenë e Gjirokastër, për të bërë gati shpalljen zyrtare brenda pranverës”.
Ministrja Kumbaro gjatë kësaj dëgjese tha se, “në respekt të punës së bërë nga gjithë ky ekip i madh në Samitin e Biodiversitetit vjet në dhjetor në Kanada, Vjosa ishte një ndër ngjarjet më të rëndësishme. Unioni ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, që është organizata më e rëndësishme që përcakton standardet, mbi bazën e parimeve të së cilës hartohen të gjitha ligjet kombëtare jo vetëm në Shqipëri por kudo në përputhje me Zonat e Mbrojtura certifikoi që gjithë procedura e fazës së parë është bërë në përputhje me këto standarde ndërkombëtare. Besoj që Shqipëria ka arsye të jetë krenare dhe sidomos ekipi i ekspertëve dhe organizatave që punuan në të”.
Ekspertja e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e pranishme në këtë dëgjesë tha se “ky lum i egër në fakt përbëhet nga një mozaik gjigand i llojeve të ndryshme të habitateve, duke nisur nga kanionet në pjesën e sipërme të terrenit gjarpërues së tij, në pjesën e mesme të luginës dhe gërshetuar kështu në pjesën fundore në daljen e deltës. Është një ekosistem thuajse i paprekur natyror dhe konsiderohet si një vatër shumë e rëndësishme e habitateve dhe specieve të ndryshme që janë ende të ruajtura në listën e kuqe të specieve”.
Një tjetër eksperte u shpreh se, “në hartë shikohet zonimi i propozuar, aktualisht jemi duke folur për një territor me sipërfaqe 11 mijë e 822 hektarë që është zona qendrore dhe kjo e tejkalon atë përqindjen e kërkuar nga IUCN-ja 75%, pra është shumë me tepër. Grupi i ekspertëve i propozon AKZM-së dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit shpalljen e Vjosës në fazën e parë Park Kombëtar, ku përfshihet Vjosa, Shushica, Bënça, Drino dhe dega e tij Kardhiqi si dhe i propozon AKZM-së dhe Ministrisë që të vijohet puna në 2023 për fazën e dytë të shpalljes së Vjosës Park Kombëtar”.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI