– Turqia dhe Greqia nuk duhet të presin një tërmet tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu duke folur para gazetarëve me homologun e tij grek, Nikos Dendias në provincën Hatay të goditur nga tërmeti. Çavushoglu përshëndeti mbështetjen e Greqisë pas tërmeteve shkatërruese në fillim të kësaj jave.
”Fakti që Nikos Dendias është këtu me ne sot tregon solidaritetin e popullit grek me kombin turk”, tha Çavushoglu. ”Marrëdhëniet e mira fqinjësore shihen në kohë të tilla sfiduese”, shtoi ai.
Kryediplomati turk kujtoi tërmetin e vitit 1999 në Marmara dhe tha se Greqia gjithashtu përjetoi tërmete atëherë, vetëm një muaj pas Turqisë. ”Në atë kohë, e para Greqia nxitoi për të na ndihmuar, pastaj Turqia nxitoi për të ndihmuar Greqinë”, tha Çavushoglu, ndërsa citoi një lajm të atëhershëm nga revista ”Time”.
Çavushoglu i kishte dërguar një letër revistës ”Time” si qytetar i zakonshëm turk në lidhje me historinë e marrëdhënieve Turqi-Greqi.
”Solidariteti në lidhjet e vështira është i rëndësishëm, por nuk duhet të presim një tërmet tjetër për të zhvilluar marrëdhëniet”, kishte thënë ai. ”Unë atëherë e thashë këtë si një qytetar i thjeshtë turk. Sot, si ministër i Jashtëm ndaj të njëjtin mendim”, theksoi Çavushoglu.
Ai kërkoi dialog të sinqertë për të kapërcyer dallimet në opinione. Ministri i Jashtëm turk shprehu gjithashtu mirënjohje për Dendiasin, qeverinë e tij dhe gjithë popullin grek për mbështetjen e dhënë në kohë të tilla të vështira.
Nga ana e tij, Dendias u zotua për mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë.
”Greqia do të vazhdojë të bëjë më të mirën për të kapërcyer kohët e vështira, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në nivel të BE-së”, tha ai. Kryediplomati grek gjithashtu përsëriti fjalët e homologut turk duke thënë se dy vendet nuk duhet të presin një tërmet tjetër për të përmirësuar marrëdhëniet.
Dendias është ministri i dytë i Jashtëm që viziton Turqinë pas dy tërmeteve të fuqishme.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI