SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Rama: Turizmi, sektor me përparësi

Nga Etleva XHAJANKA

Kryeqyteti mikpriti sot Forumin Ndërkombëtar të Turizmit “FESTA” – E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, i cili për 3 ditë, do të bashkojë në Tiranë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës, si një platformë për një sërë diskutimesh mes politikëbërësve, sipërmarrësve, operatorëve turistike dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në formësimin e një industrie kaq të rëndësishme, siç është ajo e mikpritjes.

Në çeljen e forumit ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO (Organizatës Botërore të Turizmit) Zurab Pololikashvili, Zv/Presidenti Ekzekutiv i Komisionit Europian Frans Timmermans, ministra të turizmit nga më shumë se 10 vende, investitorë, drejtues kompanish, drejtues të agjencive të turizmit etj.

Forumi është konceptuar në 7 panele tematike, në të cilat 70 folës do të diskutojnë tema të rëndësishme, lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.

Në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve, kryeministri Rama u shpreh se, “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, kështu shkruan kodi i shqiptarëve, i pari ligj i shkruar i këtij vendi, këtu e më shumë se 5 shekuj më parë dhe për sa kohë Zoti të vjen në derë përmes atij që shfaqet në pragun e shtëpisë sonë, ky i fundit është zot shtëpie për aq kohë sa qëndron mes nesh.

“Prandaj, të dashur miq të ardhur nga 38 vende të botës, në këtë Konventë Ndërkombëtare të Turizmit, ndihuni zotër në shtëpinë tonë. Shijojeni sa të mundni dallimin e skajshëm mes stereotipit të Shqipërisë në mediat tuaja dhe perceptimit të vetë shqisave tuaja për vendin krejt tjetër ku keni ardhur sot. Ju siguroj se ky që shikoni, është i vërteti. Ndërsa vendi i krimit, i mafias, i drogës, i prostitutave, i plehrave, i varfërisë ekstreme, hajdutëve dhe lypsave në çdo rrugë apo të pastrehëve që flenë rrugëve, është pjesërisht një vend, të cilin ne e kemi lënë pas në të shkuarën dhe pjesërisht një vend që e mbajnë gjallë në retorikën e tyre, dashakeqe dhe spekulante, vendas dhe të huaj, me gojën e tyre apo me penën e tyre”, tha Rama.

“Patjetër që Shqipëria nuk është sot një vend pa probleme, përkundrazi, ky vend është në një betejë të përditshme me plagë të trashëguara; mos harroni që kur fqinjët, Greqia apo dhe fqinjët në veri që ishin një vend komunist, kishin miliona turistë, Shqipëria kishte rreth 2500 turistë në vit me kushtin që të ishin marksistë-leninistë, pra të mendosh që të vije në Shqipëri duhej të ishe marksist leninist, por kishte vetëm një detaj të vogël, p.sh në qoftë se Fransi ishte një marksist-leninist që vinte në Shqipëri si turist, – nuk është një shaka – i duhej të kalonte nga berberi sepse nuk duhej të kishte as mjekër e as mustaqe, nuk lejoheshin në Shqipëri. Kështu që në Shqipërinë marksiste-leniniste, Karl Marksi nuk mund të hynte si turist.”, theksoi Rama.

“Prandaj beteja sot është e përditshme, me plagë të trashëguara, me probleme që i sjell kjo koha e re që është tejet sfiduese dhe Shqipëria, e cila mund të mos jetë akoma vendi që arrin t’i ofrojë atë që duan jo pak shqiptarë që zgjedhin të largohen, është megjithatë një vend shumë i bukur në dukje, por edhe në thelb, një vend ku mikpritja është religjion dhe ku ka siguri në rrugë për banorët dhe për vizitorët më shumë sesa në shumë zona të zhvilluara të vendeve më të zhvilluara të Europës”, u shpreh Rama.

“Unë dua këtu të falenderoj dhe të përshëndes një tjetër mik nderi, një njeri që ka dhe ai dorën e tij në ndërtimin e një prej veprave më gjeniale, sipas meje, të njeriut në kërkim të një pozicioni në hartën e turizmit duke u nisur nga asgjëja, Dubait, që është i shtrenjti Mohamed Alabbar, i cili gjendet në Shqipëri për të bërë një investim që deri shumë pak vite më parë, ne as nuk kishim kurajon ta imagjinonim se mund të ndodhte”, tha Rama.///

error: