/ATSH/ Programi i asistencës teknike gjermane GIZ në kuadër të projektit për kufizimin e mbetjeve plastike që përfundojnë në det, i cili po zbatohet në bashkinë e Finiqit, dhuroi së fundi për këtë njësi administrative në jugperëndim të vendit, edhe një makinë teknologjike pastrimi me vlerë 56 mijë euro.
Zyrtarët e bashkisë i thanë ATSH-së, se ky automjet me parametra bashkëkohorë dhe i manovrueshëm do të përdoret nga shërbimi i pastrimit për transportin e mbeturinave nga çdo fshat në landfillin e Bajkajt, 6 km nga Finiqi.
Kryetari i bashkisë, Kristo Kiço falënderoi GIZ dhe veçanërisht drejtuesin gjerman të projektit, Hermann Pllum për disponibilitetin, përkushtimin dhe korrektësinë në lëvrimin e ndihmave dhe mjeteve infrastrukturore për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në bashki.
Pak ditë më parë GIZ i dhuroi Finiqit edhe një numër kontejnerësh për grumbullimin e diversifikuar të mbeturinave urbane.
Bashkia e Finiqit, një ndër dhjetë bashkitë më të mëdha në vend sa i përket territorit, përbëhet nga 58 fshatra.
Ajo është palë në dokumentin e njohur si Marrëveshja e Ulqinit (janar2020) krahas bashkisë homologe të Lezhës dhe disa bashkive nga Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, etj., përfituese në Projektin Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve dhe Parandalimi i Mbetjeve Detare në Shqipëri, (2020-2021). Projekti financohet nga Ministria Federale për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik e Gjermanisë (BMZ) dhe zbatohet nga GIZ.//’/
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI