Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, vijon të tërheqë turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha për ATSH-në “ky park, i cili sot shënon edhe 57-vjetorin e shpalljes ‘zonë e mbrojtur’ është vizituar nga 163 503 turistë, nga të cilët 99 779 vendas dhe 63 724 të huaj”. Sipas tij, turistët përveç shtigjeve që ndodhen në këtë park, vizitojnë edhe qendrën e vizitorëve të parkut kombëtar Llogora, ku njihen me historinë e këtij parku.
Por, shtoi Breshani, parku tërheq edhe grupe botanistësh të huaj, të cilët njihen me vlerat natyrore të parkut dhe me shtigjet turistike, ndër të cilët përmendim shtegun e Qafës së Thellë, i cili përbëhet nga prezenca e lartë e llojeve endemike dhe subendemike. “Gjatë ditës së sotme Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe AdZM Vlorë organizojnë një aktivitet në natyrë, ku pjesëmarrësit do të ndjekin shtegun natyror “Tisi Plakë”, ku do të provojnë së bashku metodën e identifikimit të moshës së drurëve pyjor, me qëllim katalogimin e të dhënave mbi jetëgjatësinë e pemëve të parkut”, tha Breshani.
Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj, që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj. Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore, si ngjitje, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI