Policia e Durrësit njoftoi ditën e shtunë, datë 30 mars 2024, se kishte arrestuar 2 shtetas, njëri prej të cilëve i punësuar si rojë pranë parqeve arkeologjike, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 statuja të madhësive dhe formave të ndryshme. Lidhur me këtë fakt, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka dalë me një sqarim për opinionin publik. Në rrjetin social Facebook, Gonxhja shkruan se në asnjë prej fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cenuar inventaret apo pasuritë në to. Njëkohësisht, asnjë nga emrat e bërë publik nga policia, si trafikantë të dyshuar të objekteve të sekuestruara në flagrancë, nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEK.
Ai uron që ekspertimi i planifikuar ditën e martë pranë Policisë së Shtetit, të nxjerrë se flitet për kopje false apo riprodhime amatoreske.
Më poshtë sqarimi i plotë i ministrit Gonxhja:
“SQARIM: Pas komunikimit zyrtar me institucionet e trashëgimisë kulturore, DRTK/Parqe dhe Muze, lidhur me ngjarjen e bërë publike në media nga Policia e Shtetit, sot më datë 30 Mars 2024, mbi operacionin e koduar “ikonat”, në asnjë prej fondeve pasuri kulturore, në ruajtje apo administrim, nuk ka mungesa apo akte që të kenë cenuar inventaret apo pasuritë në to!
Njëkohësisht, asnjë nga emrat e bërë publik nga policia, si trafikantë të dyshuar të objekteve të sekuestruara në flagrancë, nuk është pjesë e stafit të institucioneve në varësi të MEKI! Për rrjedhojë, shpresoj në mirëkuptimin e publikut për faktin se në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk kam nxituar ende të përgëzoj, aq më tepër sepse duke bërë këtë mund të konfirmoja një lajm, që edhe pse nga Policia e Shtetit, duhet të verifikohet! Duke uruar, ashtu siç shikohet nga pamjet, që ekspertimi i planifikuar ditën e martë pranë Policisë së Shtetit, të nxjerrë se flitet për kopje fallco apo riprodhime amatoreske, fundjavë të bukur!”///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit