SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

MEMORIE: THoma Milaj – Regjisori me muzikën në shpirt.(Në 13-të vjetorin e ndarjes nga jeta)

Nga Vangjel AGORA

Thoma Milaj është një prej simboleve të qytetit tonë. Ka lindur 1934 në Gjirokastër. Kreu studimet në shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” më 1964. Fill më pas u emërua regjisor i Estradës Profesionistë të Sarandës dhe punoi aty për më shumë se 25 vjet duke i dhënë asaj një fytyrë e profil të veçantë. Pati si parapëlqim të tijin zhanret teatrore me prani të fortë muzikore, si komeditë muzikore, vodëvilët dhe skeçet e muzikuara, paroditë e kupletet. Përpos kësaj, në mbi 100 premierat e realizuara prej tij në skenën e kësaj estrade, Th. Milai solli qasje e vështrime artistike interesante, që përshkoheshin nga një humor i hollë.

burst

Shfaqjet më të suksesshme u shquan nga ritmi i gjallë e gazmor, me skicime tipash e karakteresh të mëvetësishëm, si dhe nga një mizanskenë e ravijëzuar mirë në relievin skenografik, e natyrës dinamike, me grupe aktorësh e masa figurantësh të përfshira në veprimin skenik muzikor. U bë një ndër edukatorët e trupës së aktorëve të estradës së Sarandës, të cilët erdhën të përzgjedhur nga Lëvizja Amatore, duke ndihmuar në rritjen dhe kualifikimin e tyre profesional. Me pas punoi edhe me aktorë që erdhën të përgatitur, me kulturë profesionale pas mbarimit të Akademisë së Arteve në Tiranë.

Ishte regjisori më i suksesshëm në rang kombëtar në trajtimin dhe organizimin skenik e harmonik të kupleteve, parodive dhe llojeve më të mëdha teatrore-muzikore, si komedia muzikore, vodëvili, skeçi i gjatë muzikor. Ndër premierat e tij më të njohura janë: “Urdhëroni në anijen tonë”, ” Posta ekspres”, “Godasim”, “Hosteni”, ” Vath në vesh”, “Pako fluturuese”, “Shikoni me syrin tonë”, “U themi ndal”, “Tinguj dhe ngjyra”, “Ekrani i Qeshur”, “Trokitje 88″ etj.

SONY DSC

Regjia e Th. Milait spikati posaçërisht në vënien në skenë të disa komedive muzikore me tekst të Enver Isufit, si vodëvili “Ditë plot diel”, (1970, muzika L. Dizdari, Th. Gjoni), “Me plot dëshirë” (1977, muzika Agim Prodani, libreti Enver Isufi, vlerësuar me flamurin e takimit te estradave), “Alarm në postëkomandë” (1979, muzika Agim Prodani, teksti Enver Isufi). Në vitin 1983 vuri në skenë komedinë muzikore “Flokë dëbore në prill” të Pëllumb Kullës dhe Enver Isufit, muzika Thoma Gjoni, ku falë fantazisë, ritmit, vizualitetit, skenografisë poetike të skenografit, Lefter Çekos, skenave e tablove korale masive dhe trajtimit elegant të partit muzikor nga aktorët-këngëtarë, arriti të krijojë një spektakël mbresëlënës, të rrallë në llojin e vet, ku buiste një atmosferë e këndshme e plot gjallëri, sa lirike-poetike, po aq komike e humoristike.

SONY DSC

Prirja e tij muzikore ka bërë që në sofrën e autorëve të ftuar të marrin pjesë humoristët më të mirë të vendit në ato vite si Pëllumb Kulla, Kujtim Shehu, Enver Isufi, Qamil Buzheli, Koço Devole, e tjerë, duke garantuar kështu cilësinë, kulturën dhe suksesin e shfaqjes. Kërkesa për një lojë ansambël, ishte nga kërkesat themelore të punës së tij me aktorët. Mendimi unifikues i regjisorit Milaj, krahas punës me aktorin, shtrihej edhe në bashkëpunimin me skenografin dhe drejtuesin e muzikës,duke i kushtuar rëndësi punës me repertorin muzikor të shfaqes.

mde

Vitet e fundit të jetës pas daljes në pension në vitin 1989, ai ka jetuar familjarisht në qytetin e Korfuzit. U nda nga jeta në 5 maj të vitit 2011 mbas një sëmundje të rëndë, në qytetin e Janinës të Greqisë. Prof.dok.Josif Papagjoni për ikjen e tij është shprehur:”Çdo kohë ka një gjurmë. Estrada profesioniste e Sarandës me Thoma Milain, ishte një gjurmë që nuk ka për t’u shlyer.Vdiq me sytë nga vezullimet e qytetit të tij ndërsa shpirti i tij lundron çdo ditë ujrave Korfuz – Sarandë dhe diku aty poshtë këmbëve të Kinoteatrit, rri ulur në amëshimin e vet. Se ai shpirtin det e kishe…”

Mbante titullin “Qytetar Nderi” i Sarandës, dhe është vlerësuar nga presidenti i Republikës në prill të 2012 me titullin “Mjeshtër i Madh”./sarandaNews.al///

error: