Në fushën e Dropullit, në qarkun Gjirokastër, ka nisur korrja e grurit.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi një nga fermat të mëdha në vend, që kultivon në atë fushë rreth 500 hektarë me drith, prodhim që shitet i gjithë në tregun vendas. Ministri premtoi mbështetje për fermerët e kësaj zone përmes programit IPARD dhe investimeve në infrastrukturën e sistemit të ujitje-kullimit.
“Bashkë me kryetarin e Bashkisë Dropull i lashë porosi që të bëjmë një projekt për kanalin kullues dhe vaditës, në mënyrë që këta fermerë të mos vuajnë për asnjë sekondë për ujë.

Për të gjithë pjesën e nevojave për makineri bujqësore, programi IPARD është një mundësi shumë e mirë. Ju mirëpresim që të aplikoni për të rinovuar flotën e makinerive bujqësore që nevojiten për këtë procesim gjigant që ka nevojë kjo fermë”, tha Çuçi.
Gjatë vitit 2019 qarku Gjirokastër kishte të kultivuar rreth 2 mijë hektarë me grurë ndërsa prodhimi ishte 6, 228 tonë. Shqipëria plotëson rreth 48% të nevojave për grurë me prodhimin vendas. Pjesa tjetër importohet nga jashtë.
Ndërsa përsa i përket eksporteve, ato janë në nivele shumë të ulta. Për vitin 2019 eksporti i grurit ka qenë rreth 650 ton, sasi e cila është eksportuar e gjitha në Kosovë. Në fillim të vitit 2020, nisur edhe nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19, importi i grurit për periudhën janar – maj 2020 ka qenë 126 mijë ton ose 75.7% më shumë se për të njëjtën periudhë në vitin 2019./
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI