Në Komisionin e Ligjeve, një ditë më parë u diskutua mbi disa ndryshime në ligjin nr. 27/2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, nismë e deputetes së PD-së, Ina Zhupa.
Në përgjigje të pyetjeve se ku shkelet Kushtetuta dhe Konventa e Parisit tek ligji ekzistues, Ina Zhupa u përgjigj se sipas 4 prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ligji nuk ka një paracaktim eksplicit që të thotë se shteti duhet të jetë dominues ndaj privatit, në fondacione.
Zhupa tha se është detyra e shtetit, sipas Kushtetutës, që të mbrojë pasurinë dhe identitetin kombëtar si dhe trashëgiminë, pasi këto fondacione duhet të jenë për të ndihmuar shtetin e për të dhuruar para.
“Ajo që unë kërkoj të bëjmë, është që me vullnetin e të gjithë deputetëve, ne të arrijmë që të mos kundërshtojmë ekzistencën e fondacioneve, sepse këtë e lejon Konventa e Parisit, por të kundërshtojmë ato fondacione të tipit të Butrintit, ku shteti është në pozita minoritare dhe nuk ka asnjë mundësi të ndërhyjë në vendimmarrje”, u shpreh deputetja Zhupa.
Më tutje, ajo citoi mendimin e njërës prej gjyqtareve, Marsida Xhaferllarit, sipas së cilës, roli parësor i shtetit nuk është garantuar për dy arsye: së pari administrimi i pasurisë kombëtare me vlera universale është fragmentarizuar, gjë që sjell rrezik të qenësishëm në konservimin e integruar të saj dhe së dyti është lejuar të kryhet ky administrim nga një entitet i së drejtës private.
Ina Zhupa tha se, kërkesën për ndryshime në ligj e ka bërë, bazuar në nenin 17 të Konventës së Parisit, sipas së cilit krijimi i fondacioneve është bërë vetëm me qëllimin e mbledhjes së donacioneve.
“Ligji 27/2018 prodhon një model amorf i cili nuk gjendet në asnjë vend tjetër të botës”, tha Zhupa, duke ftuar kolegët e Komisionit të Ligjeve mos e shohin këtë nismë si politike por që lidhet vetëm me trashëgiminë kulturore.
Në përfundim të fjalës së Ina Zhupës, kryetarja e komisionit të ligjeve, Klotilda Bushka, tha se çmonte që nisma nuk qëndronte dhe u sugjeroi kolegëve të komisionit të mos e miratonin, pasi ligji i ri, është bërë sipas standardeve të UNESCO-s.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI