SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Këshilli Kombëtar i PD vendos protestë më 7 tetor, Berisha: Të paralizohet qeveria deri në qeveri teknike

 Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi në mbledhjen e sotme që ditën e hënë, datë 7 tetor, ora 18:00, të ftojë qytetarët shqiptarë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive. “Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjitha rrugët e Tiranës”, thuhet në vendimin e Këshilli Kombëtar të PD.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kërkoi nga demokratët që të paralizohet qeveria, deri në vendosjen e qeverisë teknike.“Këshilli Kombëtar i PD mblidhet në një mbledhje emergjente, të lidhur me fatin e demokracisë, fatin e pluralizmit dhe sovranitetit të kombit shqiptar”, tha Berisha.

Ai theksoi se, prej dy ditësh, Shqipëria nuk është më ajo që ishte.

“Pas 34 vitesh, në Shqipëri është rikthyer e plotë hija e zezë e narkodiktaturës, diktaturës që ka zëvendësuar shtetin ligjor me kodin e mafias, diktaturës të bazuar në aleancën e pushtetit me krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë”, shtoi Berisha.Berisha u shpreh se Salianji u dënua me burg, sepse guxoi të bënte detyrën e tij.

“Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan në moshë të re, i cili e ka nisur karrierën e tij politike në opozitë, një politikan që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar, u dënua me burg, iu hoq liria. U burgos, sepse guxoi të bëjë detyrën e tij”, tha Berisha.Më tej, Berisha theksoi se me burgosjen e Ervin Salianjit, Edi Rama nisi fushatën e terrorit ndaj opozitës dhe shqiptarëve.

“E vërteta është se me burgosjen e Ervin Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Edi Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe ndaj shqiptarëve. Në sytë e çdo shqiptari, ishit dëshmitarë të triumfit në sallën e gjyqit, të triumfit në sallën e parlamentit, të krimit dhe drogës mbi të vërtetën”, tha Berisha.

Kreu i PD shtoi se, shqiptarët sot kanë kundër tyre qeverinë, presidentin, drejtësinë, pra të gjitha pushtetet.“Shqiptarët sot kanë kundër tyre qeverinë, kanë kundër tyre presidentin, kanë kundër tyre drejtësinë, kanë kundër tyre krimin e organizuar, kanë kundër tyre narkoshtetin, pra të gjitha këto pushtete, të cilat janë më shumë se pushtetet që kishte diktatori i fundit komunist në vitin 1991, janë aktualisht instrumente të mobokracisë, diktaturës të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen të shqiptarëve të Edi Ramës”, tha Berisha.

Berisha shtoi se, shqiptarët presin nga PD sulm dhe vetëm sulm.

“Shqiptarët nuk na duan të qëndrojmë në mbrojtje, pas të gjitha këtyre, shqiptarët presin nga ne sulm dhe vetëm sulm. Revolta jonë, sulmi ynë duhet të jetë në nivelin e sulmeve që na janë bërë për të na fshirë nga faqja e dheut”, tha Berisha.Kreu i PD nënvizoi se më 6 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të largojë flamujt partiakë dhe të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë,

“O sot, o kurrë, pa kthim, të paralizohet qeveria deri në vendosjen e qeverisë teknike. Është radha jonë dhe ne do i qëndrojmë. Vetëm kështu Shqipëria rikthehet në rrugën e ligjit, Kushtetutës. Vetëm kështu ndalohet rrokullisja e saj dhe shoqërisë sonë drejt abiseve të historisë”, tha Berisha.

Kjo thirrje, tha i ai, “është për çdo shqiptar pa dallim partie, përballë narkodiktaturës nuk ka demokrat, socialist, pa parti, të majtë ose të djathtë. Sot, çdo vijë ndarëse që ekziston dhe do ishte e ndershme në një situatë normale, është fshirë”.Prandaj, shtoi Berisha, “më 6 tetor, çdo opozitar, çdo shqiptar të largojë flamujt partiakë dhe të ngrejë vetëm flamurin kombëtar, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë. Sepse demokracia, zgjedhjet e lira, sovraniteti, nuk i përkasin vetëm një partie, u përkasin të gjithë shqiptarëve. Vetëm bashkë, shqiptarët e fitojnë këtë luftë”.(Gjergji Mima).///

error: