Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-presidenti Ilir Meta dha sot një mesazh për mbështetësit e tij ndërsa ndodhet në paraburgim ndërsa po hetohet nga SPAK për skandalin CEZ-DIA, si dhe lobimin në SHBA.
Një javë nga arrestimi, që sipas tij ishte rrëmbimi i paligjshëm dhe kriminal, Meta u shpreh se ky rrëmbim ishte i planifikuar prej kohësh dhe u realizua në prag të fushatës së zgjedhjeve të ardhshme.
“Jam shumë i qartë se ky rrëmbim është një konsensus i gjerë i përgatitur nga faktorët më malinj, të cilët i tmerron prania e Ilir Metës, në jetën publike, të vërtetat që ai thotë dhe që gjithmonë janë provuar, çmontimi i Ramaformës në Komisionin e Venecias, që ka asgjësuar shtetin e së drejtës dhe ka instaluar një juntë të rrezikshme policore, gjyqësore dhe bandash, aq sa edhe Vietnami i ka indekset e drejtësisë më të mira”, u shpreh Meta.
Sipas Metës, hetimet nisën që në dhjetor 2019 në bazë të kallëzimit, sipas tij, të një njeriu të dënuar nga Gjykata për dhunë në familje, si Romeo Karaj, i cili ishte edhe punonjës i regjimit, OSHE dhe dikur bashkëpunëtor i Kastriot Ismailit te CEZ-DIA.
Për vite të tëra, sipas Metës, Altin Dumani, në bashkëpunim me Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin, jo vetëm joshën shumë persona për të bërë deklarime të rreme, por edhe intimiduan shumë të tjerë.
Meta në mesazh foli për detaje të hetimeve, duke theksuar se Kastriot Ismaili i kishte lidhjet me CEZ shumë përpara se ai të bëhej zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm.
Lidhur me pretendimet se pas kësaj vizite në Pragë u realizua ulja e çmimit nga ERE në favor të CEZ, Meta sqaroi se ERE ishte një institucion i pavarur nga Qeveria.
“Për 4 vite Dumani bëri çdo përpjekje për t’i marrë deklarime të rreme Kastriot Ismailit në burg kundër meje, por nuk ia arriti qëllimit”, tha Meta.
Përfundimisht, sipas Metës, në gjithë pretendimet që ngre SPAK-u për hetimet 20-vjeçare ndaj tij, ka vetëm dy raste që kërkojnë sqarime: mosdeklarimi sipas tyre i shpenzimeve shëndetësore në vitin 2013 në Vjenë prej 7341 euro dhe në nëntor 2014, shuma prej 7984 euro në klinikën, Austri.
“Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit”, tha Meta.
Lidhur me lobingjet, sipas Metës, në dijeninë e tij çdo gjë është bërë sipas ligjeve shqiptare dhe amerikane dhe kurrë nuk ka autorizuar veprime të paligjshme.
“Më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime”, tha Meta.
“Si përfundim për sot, e gjithë fletërrufeja e SPAK-ut kundër meje është një justifikim për të realizuar aktin e rrëmbimit dhe izolimit të thellë politik, me qëllim që në koordinim me Edi Ramën, Erion Velinë, SHISH dhe bashkëpunëtorët e tyre të infiltruar në Partinë e Lirisë të rrëmbejnë drejtimin e kësaj force politike, për ta kthyer në një freskore të regjimit”, përfundoi Meta. /(Juliana Prifti)///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.