Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca kërkoi sot që të parashikohet një ndryshim në ligj në mënyrën se si reagojnë institucionet lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit.
Ballanca theksoi se Avokati i Popullit ka fuqi vetëm dhënien e rekomandimeve dhe niveli i zbatimit të tyre përbën një nga kriteret matëse thelbësore për nivelin e demokracisë.
Ballanca mori pjesë sot në tryezën publike të organizuar nga komisioni Antikorrupsion me temë: “Forcimi i rolit mbikëqyrës, koordinues dhe monitorues të Kuvendit duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve si edhe përmirësimi i funksionit zgjedhës të Kuvendit duke respektuar parimet e meritokracisë, transparencës, paanshmërisë”.
Sipas saj, “pushteti lokal e ka përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme autonominë lokale, duke mos iu përgjigjur rekomandimeve të dhëna nga Avokati i Popullit”.
“Kemi detyrim edhe nga Këshilli i Europës që të paktën institucionet nëse nuk i zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit duhet të kthejnë përgjigje të arsyetuara. Parashikohen gjoba për moskthim përgjigje fare dhe nëse nuk e pranojnë rekomandimin duhet përgjigje e argumentuar. Në vitin 2025 Këshilli i Europës do të bëjë një raport mbi zbatimin e këtyre rekomandimeve”, tha Ballanca.
Sipas saj, “Thembra e Akilit” në vitet në vijim do të jetë pushteti lokal.
“Kemi një hendek shumë të madh midis përgjegjshmërisë dhe kuptimit të rolit të institucioneve të pavarura nga qeveria qendrore me pushtetin lokal. Pushteti lokal është një dramë thelbësore e të qenit shtet brenda shtetit. Autonominë lokale e kanë përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme”, tha Balanca.
Sipas saj, “rekomandimet më pak të zbatuara të Avokatit të Popullit janë nga pushteti lokal dhe rekomandimet më të zbatuara janë nga Policia dhe burgjet”.///
ME SHUME LAJME
Sarandë. Mbërrin krocera e parë me turistë për vitin 2026-n.
Sociale. Shqipëria po zbrazet. Bie me 35% numri i lindjeve brenda një dekade
Rregullat për plazhet. Zbardhet kontrata e re, gjoba deri në 400 mijë lekë dhe rastet kur prishet kontrata