Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se furrat e bukës prej një viti gëzojnë çmim preferencial për energjinë elektrike.
Në replikë me deputetin e PD-së, Helidon Bushati i cili ngriti akuza për mungesë të investimeve në rrjetin e energjisë elektrike dhe rrjetin e ujësjellësave, që sipas tij shkojnë deri në 10 orë, si dhe rritjen e çmimit të energjisë për furrat e bukës, Balluku deklaroi se furrat e bukës paguajnë vetëm 7.6 lekë për kilovat orë.
“Furrat që prodhojnë vetëm bukë marrin çmimin preferencial prej 7.6 lekë për kilovat-orë, ato që kanë edhe shërbimin e pastiçerisë paguajnë 9.5 lekë për kilovat-orë, ndërsa furrat që ofrojnë edhe shërbim “kafe” e kanë çmimin 12 lekë për kilovat-orë“, deklaroi Balluku.
Nga ana tjetër, Balluku informoi se qeveria do të paraqesë me 1 dhjetor planin për uljen e çmimit të energjisë elektrike për të gjithë qytetarët.
“Kryeministri ka lënë porosi të shikohet mundësia e uljes së energjisë duke plotësuar kushtet e kërkesat e BE-së për Agjendën e Gjelbër. Kemi bërë analizën dhe më 1 dhjetor do të kemi informacionin e plotë për sa i përket rishikimit dhe uljes së çmimit sipas kritereve të BE-së”, u shpreh ajo.
Balluku tha se këto lajme e shqetësojnë opozitën.
“E kuptoj narrativën e egër politike”, tha Balluku. ///
ME SHUME LAJME
Takimi i Ramës në Vlorë, zbardhen porositë e kryeministrit në prag të sezonit turistik.
Njësitë elitë të policisë në Shqipëri e Greqi, stërvitje të përbashkët në Tiranë
Mot me kthjellime, shtim gradual i vranësirave pas mesdite