Qeveria shqiptare ka miratuar aktet nënligjore në mbledhjen e 26 dhjetorit të 2024, 7 vite nga hyrja në fuqi e ligjit për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Vendimi i “fshehtë” i qeverisë shqiptare u zbulua fillimisht nga mediat greke ndërsa sot vendimi është i dukshëm në faqe.
Të dhënat e censusit kanë qenë të pamjaftueshme, për këtë arsye qeveria i ka dhënë të drejtë çdo shtetasi që me anë të një formulari të nënshkruar me të dhëna bazike të shprehë pretendimin e tij se i përket një minoriteti të caktuar në Shqipëri. Këto kërkesa që mund të bëhen nga çdo cep i territorit shqiptar do të shqyrtohen nga një komision që do të ngrihet në Ministrinë e Brendshme.
“Personi, që pretendon se i përket një pakice kombëtare dhe kërkon të identifikohet si i tillë, paraqet formularin e vetidentifikimit, sipas aneksit 1, të këtij vendimi, pranë të njëjtit komision të ngritur në ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme për shqyrtimin e kërkesave për njohjen e një pakice kombëtare (në vijim komisioni). Në përbërjen e komisionit duhet të përfshihet gjithashtu një përfaqësues nga pakica kombëtare, pjesë e së cilës personi është vetidentifikuar, përveç rasteve kur kjo pakicë është e përfaqësuar në përbërjen e përhershme të komisionit”, thuhet në vendim.
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, DOKUMENTACIONIT DHE PROCEDURAVE PËR MBLEDHJEN E TË DHËNAVE PËR IDENTIFIKIMIN E PERSONAVE QË U PËRKASIN PAKICAVE KOMBËTARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbledhja e të dhënave për identifikimin e personave, që i përkasin pakicave kombëtare, kryhet në përputhje me të drejtën e tyre për vetidentifikim të lirë.
2. Personi, që pretendon se i përket një pakice kombëtare dhe kërkon të identifikohet si i tillë, paraqet formularin e vetidentifikimit, sipas aneksit 1, të këtij vendimi, pranë të njëjtit komision të ngritur në ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme për shqyrtimin e kërkesave për njohjen e një pakice kombëtare (në vijim komisioni). Në përbërjen e komisionit duhet të përfshihet gjithashtu një përfaqësues nga pakica kombëtare, pjesë e së cilës personi është vetidentifikuar, përveç rasteve kur kjo pakicë është e përfaqësuar në përbërjen e përhershme të komisionit.
3. Ky komision mblidhet të paktën 2 (dy) herë në vit dhe sa herë vlerësohet e nevojshme me kërkesë të 1/4 së anëtarëve të tij.
4. Komisioni pranon vetidentifikimin dhe pasqyron të dhënat në listën përkatëse për pakicat kombëtare, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga depozitimi i formularit të vetidentifikimit.
5. Në raste përjashtimore, bazuar në arsye, të cilat hedhin dyshime serioze për saktësinë e të dhënave të vetidentifikuara, mund të kërkohet verifikim i mëtejshëm i vetidentifikimit, me një shumicë prej 2/3 së anëtarëve të komisionit, në rastet kur:
a) ka paraqitje të një numri të shtuar dhe të pazakontë vetidentifikimesh, brenda një periudhe gjashtëmujore;
b) personi i vetidentifikuar banon në një njësi të vetëqeverisjes vendore, e cila, faktikisht, nuk shfaq karakteristika të dallueshme kulturore, etnike, gjuhësore, fetare apo karakteristika tradicionale, c) të evidentuara nga informacionet përkatëse, ndër të tjera, siç është mungesa e përfaqësimit kolektiv, përmes një mungese të qartë të pranisë aktive, të vazhdueshme dhe të konsoliduar të aktiviteteve të përfaqësimit kolektiv, përfshirë shoqatat e minoritetit kombëtar përkatës në njësinë e vetëqeverisjes vendore në fjalë etj;
ç) ka ndryshime të gjenealiteteve të personit të vetidentifikuar, krahasuar me dokumente të mëparshme.
6. Komisioni mund të kërkojë, në rastet kur nis një procedurë verifikimi, informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, me qëllim verifikimin e vërtetësisë së të dhënave të paraqitura, në përputhje me parashikimet e pikës 1, të nenit 3, dhe të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”.
7. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i dërgon kërkesën për verifikim zyrës përkatëse të arkivit të gjendjes civile të degës përkatëse të qarkut, duke u bazuar në të dhënat e vetidentifikimit të personit.
8. Zyra e arkivit të gjendjes civile kryen verifikimet, nëse:
a) personi rezulton i regjistruar në regjistrin përkatës të gjendjes civile, të administruar nga zyra e arkivës së gjendjes civile, ku janë evidentuar të dhëna lidhur me përkatësinë etnike, të ndryshme nga ajo shqiptare;
b) personi ka lindur nga të paktën një prind me përkatësi etnike joshqiptare dhe në aktin e lindjes së tij rezulton e evidentuar një përkatësi etnike tjetër;
c) në aktin e lindjes së personit, përpara vitit 2011, ka qenë përcaktuar një përkatësi etnike, e ndryshme nga ajo shqiptare;
ç) në dokumentet e arkivuara të gjendjes civile për periudhat e regjistrimeve të popullsisë për shtetasit që i përkasin një pakice etnike, të ndryshme nga ajo shqiptare, ose për paralindësit e tyre, janë evidentuar të dhëna që lidhen me përkatësinë etnike, të ndryshme nga ajo shqiptare;
d) ka të dhëna plotësuese, që i referohen përkatësisë tjetër etnike, për elemente të gjendjes civile, që gjithashtu mund të rezultojnë në aktet e martesës dhe të vdekjes të administruara prej saj.
9. Zyra e arkivit të gjendjes civile i paraqet komisionit informacionin e mbledhur, lidhur me elementin e përkatësisë etnike. Komisioni rishikon dokumentacionin e mbledhur, sipas pikës 8, të këtij vendimi, duke i dhënë peshë vendimtare zgjedhjes subjektive të individit. Faktorë, si gjuha, feja, kultura ose traditat ofrojnë një bazë të mjaftueshme për qëllimin e vetidentifikimit. Dokumentacioni i marrë, sipas pikave 7 dhe 8, të këtij vendimi, shërben si tregues, ndihmës në marrjen e mendimit nga ana e komisionit.
10. Komisioni, në rast të mosprovimit të vetidentifikimit, sipas pikave 7 dhe 8, të këtij vendimi, u drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe institucioneve të tjera, nëse kanë dokumente zyrtare që mbështesin përkatësinë e shtetasit në një pakicë kombëtare.
11. Procedura e mbledhjes së të dhënave kryhet në përputhje me pikën 2, të nenit 6, të ligjit nr.96/2017, “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
12. Zyrat e arkivit të gjendjes civile në degët e qarkut lëshojnë të dhëna, që i referohen regjistrimit të shtetasve, sipas regjistrave themeltarë për periudhat e regjistrimit kur janë kryer. Përpunimi i këtij informacioni kryhet në bazë të konsultimit të të dhënave në regjistrat themeltarë, ku konfirmohen të dhënat e shtetasve me përkatësi etnike, të ndryshme nga ajo shqiptare. Personi i interesuar mund të paraqesë dokumentacione ose çdo material tjetër të nevojshëm në mbështetje të vetidentifikimit.
13. Komisioni, pasi shqyrton informacionin e marrë nga institucionet e lartpërmendura dhe nga personi për të cilin bëhet procedura e vetidentifikimit, vijon me marrjen e vendimit për konfirmimin ose jo të vetidentifikimit, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e iniciimit të kryerjes së verifikimit, sipas përcaktimeve të pikës 4, të këtij vendimi. Periudha e nisjes së këtij afati fillon nga data e njoftimit nga komisioni për palën e interesuar. Në rast se nuk merret një vendim brenda afatit të përcaktuar, vetidentifikimi konsiderohet i konfirmuar.
14. Vendimi i arsyetuar i komisionit i njoftohet menjëherë personit për të cilin është kryer procesi i verifikimit.
15. Në rastet kur personi kërkon të apelojë vendimin e komisionit, krijohet një komision apelimi.
16. Komisioni i apelit kryesohet nga përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për çështjet e brendshme dhe ka në përbërje:
a) një përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet e brendshme;
b) një përfaqësues nga Avokati i Popullit;
c) një përfaqësues nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi;
ç) një përfaqësues i emëruar nga Komiteti për Pakicat Kombëtare;
d) një përfaqësues nga një organizatë e shoqërisë civile, i angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në lidhje me pakicat kombëtare, të propozuar nga Komiteti i Minoriteteve Kombëtare.
17. Kundër vendimit të komisionit të apelimit, personi ka të drejtë të paraqesë ankim pranë gjykatës kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative, sipas parashikimeve të ligjit nr.49/2012, “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, të ndryshuar.
18. Ngarkohen ministria përgjegjëse për çështjet e brendshme, komisioni, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, prefektët e qarqeve, zyrat e arkivit të gjendjes civile në degën e qarkut dhe institucionet e tjera shtetërore, që administrojnë dokumente, të dhëna zyrtare në lidhje me përkatësinë e shtetasve shqiptarë në një pakicë kombëtare, për zbatimin e këtij vendimi.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI