Nga Ëngjëll SERJANI
Sipas të dhënave historike, lufta e çetës patriotike të Çerçiz Topullit nuk është bërë në Rrapin e Mashkullorës që u rrëzua dy ditë më parë. Historinë e tij e evokoi më shumë Enver Hoxha, i cili, ulur nën hijen e kësaj peme, këndoi vargjet e famshme. Shembja e rrapit shekullor është një thirrje për shumë rrape të tjerë që po thahen.
Një erë e fortë që përshkoi luginën e Drinos në Gjirokastër shkaktoi rrëzimin e një peme të konsideruar njëkohësisht si monument natyror dhe simbol historik, rrapin e Mashkullorës, një pemë me moshë mbi 400-vjeçare. Si pasojë e një stuhie, rrapi i Mashkullorës, pema që lëshoi hije për disa shekuj në qendër të fshatit, ku jetojnë myslimanë dhe ortodoksë, është rrëzuar përfundimisht. Banorët thonë se rrapi kishte kohë që kishte nisur të kalbëzohej në pjesën e trungut. Trupi i pemës shekullore është goditur disa herë më parë nga rrufetë, por kurora e tij kishte arritur të mbijetonte. Era e dy ditëve më parë e rrëzoi përfundimisht.
Rrapi që evokoi Enver Hoxha
Lajmi i rrëzimit të rrapit të Mashkullorës mori dhenë. Kjo me të drejtë për shkak të simbolit që ka përfaqësuar këto vite. Po duket se rrapi i Mashkullorës është lidhur padrejtësisht me figurën e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli, dhe luftën e çetës patriotike të drejtuar prej tij në marsin e vitit 1908. Në fakt, lufta e Mashkullorës është zhvilluar shumë larg kësaj peme. Gjithsesi, pavarësisht kësaj të vërtete historike, mbetet një simbol i dashur për vendasit. Lufta legjendare e kapedan Çerçizit dhe trimave të çetës së tij është zhvilluar në haurin e Abaz Çanit pranë një rrapishte në përroin përfund Mashkullorës. Ndonëse nuk bëhet fjalë për rrapin ku u zhvillua lufta legjendë e Mashkullorës, banorëve vendas u pëlqen që ta konsiderojnë atë si objekt historik. Poshtë hijes së tij janë zhvilluar me dhjetëra mbledhje dhe kuvende historike, ndërkohë që vitet e fundit banorët organizonin në sheshin para rrapit festat, dasmat, spektaklet dhe takimet elektorale. Rrëzimi i rrapit të fshatit, është një rast për të sjellë në kujtesë pjesë të historisë sonë. Ndonëse lufta e Mashkullorës u zhvillua pak më larg nga këtu, rrapi është quajtur historik, sepse aty burra me famë si Zeman Mashkullora, Çelo Picari, Çerçiz Topulli me trimat e tij kanë bërë kuvende dhe kanë marrë vendime me vlerë historike për fatet e krahinës”, thotë banori i këtij fshati, Dervish Bistri. Në fakt, rrapi i rrëzuar i Mashkullorës ka lidhje më shumë me Enver Hoxhën se me Çerçiz Topullin. Vetë banorët e fshatit pohojnë e thonë se në rrëzë të trungut të rrapit të Mashkullorës ka qëndruar në 18 mars të vitit 1978 ish-diktatori komunist, Enver Hoxha. Para se të niste fjalimin e tij në këtë vend, ka kënduar vargjet e njohura të këngës “Te rrapi në Mashkullorë/ foli Çerçizi me gojë/ Mylazim, largo taborë/ lëri djemtë e mi të shkojnë/ se të skuq të bëj me bojë”.
Për vite dhe shekuj të tërë rrapi i Mashkullorës qëndronte në oborrin e xhamisë së fshatit, por pas vitit 1967, kur shteti komunist u ktheu shpinën institucioneve dhe besimeve fetare, në hapësirën midis xhamisë dhe trungut të rrapit u ndërtua shtëpia e kulturës.
Qindra rrape drejt tharjes
Po të perifrazonim një titull të Kadaresë, ne sot vërtet duhet të shprehemi “Ra ky rrap dhe u pamë”, pasi rrëzimi së fundi i rrapit historik të Mashkullorës në fakt na ka shërbyer si kujtesë për fenomenin e çuditshëm të tharjes masive nga një sëmundje e panjohur dhe e pashërueshme e disa qindra mijëra rrapeve të tjerë në krejt rajonin jugor të vendit. Pavarësisht nga aksidenti i ditëve të fundit kur era që shembi përtokë një rrap, duhet pranuar dhe bërë e ditur se një sëmundje e pashërueshme dhe e “pa emër” për specialistët e pyjeve është duke përtharë me dhjetëra dhe qindra pemë me moshë shekullore të rrapeve në luginat e Drinos dhe Vjosës në Tepelenë, Përmet dhe Gjirokastër në jug të vendit. Në Parkun Natyror Kombëtar të Ujit të Ftohtë të Tepelenës, në Mezhgoran dhe Grykë të Këlcyrës, në Libohovë e në rrapet e Gurrës së Picarit në Gjirokastër, dhe në zona të tjera të rajonit jugor janë qindra-mijëra ekzemplarë të llojit të rrapit që po zhduken. Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër kanë qenë të detyruar të ndërhyjnë për prerjen e degëve dhe trungjeve të tharë të dy rrapeve në qendër të qytetit të Libohovës, të cilët rrezikojnë të shemben mbi Kompleksin e Sarajeve të Myfit bej Libohovës, një objekt i restauruar monument kulture i kategorisë së dytë.
Histori.-Dritare për luftën e Mashkullorës
Sipas përshkrimit të publicistit dhe luftëtarit të lëvizjes kombëtare, Mihal Grameno, pjesëmarrës në Luftën e Mashkullorës, pas vrasjes së Bimbashit turk më 25 shkurt (9 mars) në orën 11:15 në lagjen “Hazmurat” të Gjirokastrës, atentatorët dhe pjesëtarët e tjerë të çetës, Çerçizi i ndau nën komandën e tij në dy pjesë dhe në krye të një pjese të luftëtarëve u strehua në Mashkullorë. Ditën e martë, më 4 mars(17 marsi) luftëtarët e çetës së Çerçizit qëndruan në shtëpinë e Myrto Haskës, babai i luftëtarit të kësaj njësie Zeman Mashkullora (Haska). Sipas përshkrimeve të Gramenos, pa u zbardhur mirë dita, Kapedan Çerçizi pa si në mjegull një turmë njerëzish që po i afroheshin shtëpisë. Pasi vuri dylbinë dhe pa se ishin ushtarë turq u foli shokëve: “O burrani vëllezër se po na rrethon ushtria”. Luftëtarët morën ç’mundën dhe u drejtuan për nga përroi poshtë fshatit. Një person i quajtur Vehip, që i vuri re nga kaluan luftëtarët tregoi shtegun dhe i drejtoi ushtarët turq andej nga kaloi çeta për në përroin me rrepishte përfund Mashkullorës. Ushtarët hapën menjëherë zjarr mbi luftëtarët që vraponin për të zënë pozicion, por luftëtarët dhe vetë Çerçizi arritën të zënë më shpejt se ushtarët turq haurin e Abaz Çanit dhe menjëherë hapën zjarr mbi ushtarët. Zemani, Myftari, Mihali dhe Hajredini, erdhën njëri pas tjetrit në drejtim të haurit. Lufta vazhdoi për orë të tëra derisa një mjegull që mbuloi vendin u krijoi mundësi luftëtarëve të dilnin nga rrethimi duke u larguar në drejtim të kodrës së Zhazhës për t’u strehuar në Manastirin e Cepos.///

ME SHUME LAJME
Sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve
“Chase Travel”: Riviera Shqiptare, destinacioni më “hot” i verës 2026
Lumi Vjosa, rritet interesi për rafting gjatë sezonit pranveror