Nga Çapajev GJOKUTAJ
Mbrëmë emisioni Top Story, gjatë një pjese të mirë të kohës, nuk u drejtua nga Grida Duma po nga Edi Rama. Që ta perceptojnë dhe ata që s’e kanë ndjekur po sjell vetëm një episod.
Tani vijmë tek patatja e nxehtë, thoshte psh moderatorja me synimin që të kalonte diskutimin tek ish ministrat e burgosur. Kryeministri mohonte që këtu të kishte ndonjë patate të nxehtë. Vazhdonin disa batuta të tipit e lagu s’e lagu.
Moderatorja nervozohej dhe në vend të thoshte ‘ministra nën hetim’ thoshte ‘ministra të dënuar’. Kryeministri e kapte lapsusin, kundërshtonte një copë herë dhe pastaj, për të ‘gjurmuar’ të vërtetën modertorja shfaqte në sfond listën e ofiqarëve të burgosur.
Rama e përqendronte vemendjen tek ata që janë akoma nën hetim dhe hidhej në sulm kundër kënetës mediatike që nëpër studio u ka bërë gjyqin e i ka dënuar, megjithëse ligji thotë se janë të pafajshëm derisa nuk ka vendim përfundimtar gjykate.
Moderatorja, e prekur në sedër, kthehej e mbronte emisionin e vet, i kërkonte të ftuarit të përmendte ndonjë rast që në emisionet e saj ishin bërë gjyqe të tilla dhe ashtu, e zhytur në llogoren e vetmbrojtjes, e linte emisionin që për minuta të tëra të rridhte mes cicmicesh.
Drejtuesët e emisioneve doemos që janë njerëz dhe si gjithë të vdekshmit gabojnë edhe ata. Veç kësaj, dikush duhet t’u kujtojë se nuk janë në studio për të mbrojtur veten dhe emisionet e tyre, po për të moderuar bisedën, për të mos e lenë të shkapërdredhet, për të injoruar vogëlimat e për t’u përqendrur në çështje që i interesojnë publikut. Kur e lënë pasdore këtë dhe kthehen të mbrojnë emisionin dhe veten, të kujtojnë atë të proverbit që la dasmën e shkoi për shkarpa. (Nga fq. e Çapajev Gjokutaj)./SarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI