Nga Almarina GEGVATAJ
Çështjet e pazgjidhura dypalëshe mund të përballohen dhe të zgjidhen”, ka theksuar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në një intervistë për gazetën TA NEA, disa orë para vizitës së tij në Athinë dhe takimit me homologun grek, Giorgos Gerapetritis.
I pyetur nëse çështja e delimitimit të zonave detare (përcaktimit të kufijve mes dy territoreve) është në krye të agjendës së këtij takimi dhe nëse hapi i mëtejshëm është siç është rënë dakord në vitin 2020 paraqitja e kësaj mosmarrëveshjeje në Hagë, Hasani ka garantuar se qeveria shqiptare në këtë mandat të katërt mbetet e hapur dhe plotësisht e përkushtuar për të nxitur dialogun mbi të gjitha, çështjet e pazgjidhura dypalëshe duke mos e përjashtuar si mundësi.
“Ne marrim pjesë në këto diskutime me frymën e respektit të ndërsjellë, me qëllimin për të arritur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal. Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në mënyrë që përputhen me rregullat ndërkombëtare – duke u bazuar në lidhjet e thella historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë prej brezash”, theksoi ai.
Hasani ka thënë gjithashtu se marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të vazhdojnë të zhvillohen në një frymë pozitive dhe progresive, të rrënjosura në partneritetin strategjik të bashkëpunimit të ngushtë në NATO dhe ambiciet evropiane.
“Greqia mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë. Dy popujt tanë kanë jetuar krah për krah për shekuj, duke ndarë kufij, përvoja dhe shkëmbime të panumërta shoqërore dhe kulturore. Kjo afërsi ka ndezur një lidhje të thellë njerëzore që tejkalon politikën dhe nënvizon rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve të pazgjidhura përmes dialogut”, shprehet më tej ministri Hasani.
Sipas kryediplomatit shqiptar, kjo vizitë në Athinë është një mundësi për të ndërtuar mbi këto themele dhe për të riafirmuar angazhimin e ndërsjellë për një dialog të hapur konstruktiv dhe të vazhdueshëm.
Ai ka nënvizuar gjithashtu se Tirana vlerëson veçanërisht mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, bashkëpunimin në energji, tregti, iniciativa rajonale dhe platforma shumëpalëshe ,ndërsa ekziston një potencial i madh për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Sa i përket pranimit të Shqipërisë në BE deri në 2030, ministri i Hasani ka thënë se Shqipëria është plotësisht në rrugën e duhur drejt anëtarësimit, pas reformave të gjera, ndërsa ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit me katër grupe negociuese që tashmë kanë hapur progresin në fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe administrata publike, të cilat kanë hedhur një themel të fortë.
“Ne mbetemi të përkushtuar për përshpejtimin e reformave, veçanërisht në integritetin e gjyqësorit, periudhën ekonomike gjashtëvjeçare dhe forcimin e institucioneve, qëllimi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve për negociata të plota deri në vitin 2027, duke e përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030”, ka thënë ai.
I pyetur se ku bazohet përqindja e lartë e votave që siguroi Rama nga emigrantët shqiptarë në Greqi në zgjedhjet e 11 Majit, Hasani tha se ky fakt pasqyron besimin e tyre të vazhdueshëm në udhëheqjen e kryeministrit shqiptar, angazhimin e qeverisë për reforma thelbësore dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Intervista e plotë e kryediplomatit shqiptar, Igli Hasani dhënë për Maria Mourelatou për gazetën greke, TA NEA
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, përpara vizitës së tij në Athinë të martën e ardhshme, thekson se qeveria e Edi Ramës është “e hapur dhe plotësisht e angazhuar për nxitjen e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe pezull.”
Përpara vizitës së tij të ardhshme në Athinë të martën (3/6) për një takim me homologun e tij grek, Giorgos Gerapetritis, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani “hap letrat e tij” për “TA NEA-Fundjavë” në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare. Duke siguruar se qeveria shqiptare në këtë mandat të katërt të Ramës “mbetet e hapur dhe plotësisht e përkushtuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe pezull”, ai nuk përjashton perspektivën e Hagës për përcaktimin e Zonës Ekskluzive Ekonomike (ZEE) midis Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa shprehet i sigurtë se të gjitha çështjet dypalëshe të pazgjidhura mund të adresohen.
Pyetje: Si e shpjegoni përqindjen dërrmuese që mori Edi Rama nga vota me postë e shqiptarëve që jetojnë në Greqi?
Ministri Hasani: Mbështetja e fortë nga shqiptarët që jetojnë në Greqi pasqyron besimin e vazhdueshëm të tyre në udhëheqjen e kryeministrit Rama, përkushtimin e qeverisë për reforma thelbësore dhe vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Gjithashtu, kjo thekson lidhjen e vazhdueshme midis diasporës sonë dhe përparimit demokratik dhe zhvillimor të vendit.
Pyetje: Është çështja e përcaktimit të zonave detare në krye të agjendës së takimit tuaj me Giorgos Gerapetritis në Athinë më 3 qershor? A duhet të presim që hapi i ardhshëm të jetë, siç ishte rënë dakord në 2020, dërgimi i kësaj mosmarrëveshjeje në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës?
Ministri Hasani: Qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Ne marrim pjesë në këto diskutime me frymën e respektit të ndërsjellë, me qëllimin për të arritur zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme që pasqyrojnë interesin tonë të përbashkët për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet rajonal. Nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit konstruktiv, ne besojmë se është e mundur të adresohen të gjitha çështjet përkatëse në mënyrë që përputhen me rregullat ndërkombëtare – duke u bazuar në lidhjet e thella historike dhe afërsinë gjeografike që lidhin dy popujt tanë prej brezash. Këto lidhje të përhershme kanë ndihmuar në formimin e një marrëdhënieje që duhet të vazhdojë të udhëhiqet nga bashkëpunimi dhe mirëkuptimi i ndërsjellë.
Pyetje: Cilat çështje të tjera i vlerësoni si të pazgjidhura në marrëdhëniet Shqipëri – Greqi? A planifikoni t’i paraqisni ato ministrit të jashtëm grek për zgjidhje gjatë vizitës suaj zyrtare në vendin tonë?
Ministri Hasani: Marrëdhënia shqiptaro-greke duhet të vazhdojë të zhvillohet me një frymë pozitive dhe progresive, e rrënjosur në partneritetin tonë strategjik, bashkëpunimin e ngushtë në NATO dhe aspiratat tona të përbashkëta evropiane. Greqia mbetet një partner i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ne vlerësojmë përparimin e arritur deri tani. Dy popujt tanë kanë jetuar pranë e pranë për shekuj me radhë, duke ndarë kufij, përvoja dhe shkëmbime të panumërta shoqërore e kulturore. Kjo afërsi ka krijuar një lidhje të thellë njerëzore që tejkalon politikën dhe thekson rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve të pazgjidhura nëpërmjet dialogut. Vizita ime e ardhshme në Athinë më 3 qershor është një mundësi për të ndërtuar mbi këtë themel dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë të përbashkët për dialog të hapur dhe konstruktiv. Duke vazhduar të angazhohemi me vullnet të mirë, besojmë se çështjet e pazgjidhura mund të trajtohen në një mënyrë që pasqyron vlerat tona të përbashkëta dhe kontribuon në stabilitetin dhe integrimin rajonal.
Pyetje: Në cilat çështje keni marrë mbështetjen më të madhe nga Greqia vitet e fundit dhe cilat fusha të reja të bashkëpunimit dypalësh do të dëshironit të zhvilloni në këtë mandat të katërt të Edi Ramës?
Ministri Hasani: Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një bashkëpunim të fortë në fusha të ndryshme. Ne vlerësojmë veçanërisht mbështetjen afatgjatë të Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë, së bashku me bashkëpunimin tonë në energji, tregti, nisma rajonale dhe platforma shumëpalëshe. Duke parë përpara, shohim potencial të madh për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. Me Shqipërinë në një fazë kyçe për anëtarësimin në BE – tashmë janë hapur katër grup-kapituj negociatash – ky është momenti i duhur për forcimin e lidhjeve jo vetëm në kontekstin evropian, por edhe në fusha si infrastruktura, burimet e rinovueshme të energjisë dhe shkëmbimet ndërnjerëzore. Mbështetja e vazhdueshme e Greqisë do të mbetet thelbësore ndërsa punojmë për të sjellë më afër vendet dhe shoqëritë tona.
Pyetje: A besoni se është e arritshme për Shqipërinë të anëtarësohet në BE edhe përpara vitit 2030-të? Në cilat fusha duhet të shënohet përparimi më i madh në të ardhmen e afërt?
Ministri Hasani: Shqipëria gjendet në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Pas reformave të gjera, tani ndodhemi në një fazë vendimtare të procesit të anëtarësimit, me katër grup-kapituj negociatash që tashmë janë hapur. Përparimi në fusha kyçe – si sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe administrata publike – ka vendosur një bazë të qëndrueshme. Mbetemi të përkushtuar për të përshpejtuar reformat, veçanërisht për integritetin e pushtetit gjyqësor, modernizimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve. Objektivi ynë është të fillojmë së shpejti mbylljen e kapitujve dhe të përfundojmë negociatat deri në vitin 2027-të, duke përgatitur Shqipërinë për anëtarësim deri në vitin 2030-të. Teksa procesi është kërkues, ai ofron një kornizë transformuese për modernizimin e institucioneve dhe ekonomisë sonë dhe për forcimin e një shoqërie demokratike të qëndrueshme. Më shumë se dy dekada pas deklaratës të Selanikut, ka ardhur koha t’i jepet një shtysë e re procesit të zgjerimit – jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo është një recetë strategjike si për BE-në, ashtu edhe për rajonin.

ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.