Nga Sadik BEJKO
Jeronim De Rada (1814-1903) dhe Frederik Mistral (1830-1914)
Ky shënim e merr nxitjen nga soditjet e herë pas hershme të një fotoje të poetit tonë të mplakur, të De Radës nga fshati Maqi i Kalabrisë, Itali. E shoh dhe më vjen ndër mend një varg i Lasgushit: Madhështor me shtat të gjorë..
Bardi i lashtë, burri stoik . .poeti De Rada jetoi gjatë, me shumë tragjedi familjare, nga fundi e nxirrte jetesën duke dhënë mësim në Shën Mitër. Shkonte atje mbi një gomar.
Në një foto të njohur, mbase e fundit prej tij, De Radën, me një trastë në sup, me një stap në dorë e shohim mes fshatarëve (bujqve, barinjve), njësoj i pafaan, fukara, i rrazbitur porsi ata…
Ai, De Rada që ishte dhe është burri, rapsodi, poeti i madhi i ARBËRIT. Ai me gjallje mori vlerësime nga personalitete të mëdha të kohës së tij. Ndër ta qe Lamartini.
Bashkëkohësi tjetër i tij, poeti Provansal, francezi Frederik Mistrali, çmim Nobel më 1904, ka shkruar me vlerësimet më të mëdha për poemat e De Radës.
Si shpjegohet që fatet e tyre i De Radës dhe i Mistralit qenë aq të pangjashme? E ka një shpjegim. De Rada duke qenë poet i një gjuhe, i një etnie të vogël, i arbëreshëve, nuk hynte dot në garë me Mistralin, poet i Francës. Fati, mund të thuash, qe i paracaktuar. Mistrali mori kurorën e Nobelit, De Rada vdiq me një peshk të tharë në xhep.

Sot Mistrali është një poet i harruar, poezia e tij e tejkaluar. Nuk jam në atë shkallë dijeje sa të vë një paralele midis Mistralit e De Radës. Por nisur nga ajo që Mistrali e adhuronte poetin tonë, ka shkruar me shumë entusiazëm për atë, nisur dhe nga ajo që poezia e De Radës mbetet ende e freskët, ende e aftë të ngjallë befasi artistike dhe emocione, mendja ma thotë se nuk do të ishte pa interes një studim krahasimtar midis tyre: De Rada versus Mistral.(Sipas faqes fb të poetit dhe stidjuesit Sadik Bejko)/sarandaNews.al)////

ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI