Nga Dashnor KOKONOZI
Thuajse të gjitha valët e emigrimeve i ndoqa nga pas, për hesap të gazetave të ndryshme. Sot gjeta një numër blloqesh me shënime, të cilave u ka ardhur radha të hidhen. Duke i hedhur një sy më parë më dallin gjëra të çuditëshme. Njeri, A. H. me tregonte se sapo “anija jonë hyri” në Brindisi, të rraskapitur e të uritur siç ishim, nisëm të bërtasim “Poshtë komunizmi!”, për t’i bindur ata që ishin në port se kishim arsye të forta të braktisnim atë vend. Por dikush na tha: “Pritni njëherë, mos bërtisni ashtu. Ata që janë poshtë, pas policëve dhe po na presin me ujë dhe qese ushqimesh, janë sindikalistë të Partisë komuniste…”
E mbyllëm menjëherë, nga frika se mos ata ktheheshin mbrapsht e iknin. Që të siguroheshim, u mblodhem nja dy-tre vetë që flisnim diçka italisht, e bërtitem: Comunisti italiani, buoni. Comunisti albanesi tutti coglioni…!
Dhe nga gjithë ajo histori ka mbetur ky rrëfim:
Anija e fundit për në Bari
Dritat e qytetit që u shfaqën para syve tanë i ngjanin një grumbulli prushi të ndezur mbi det. Të gjithë harruam animin e frikshëm të asaj govate lundruese që e thërrisnim anije dhe u vërsulëm te bashi i saj. Ata që e kishin hequr shpresën se do të shihnim përsëri tokë, nisën të qajnë e ulërijnë nga gëzimi.
Heshtja u kthye përsëri kur nisën manovrat e futjes në port. Një autoambulancë që pamë aty na u duk shenjë e mirë, por prania edhe e një toge karabinierësh na ktheu në shpirt frikën që secili e ruante për vete. Më mirë se të gjithë ne, atë e shprehu Timi i stacionit të trenit.
– Autoritetet e portit do të mbajnë vetëm të sëmurët, – tha ai, – Të tjerët do t’i kthejnë mbrapsht. E shumta pasi të na dezinfektojnë falas kundër morrave.
Gratë nisën të qajnë. Pas tyre edhe fëmijët. Poshtë në kalatë, karabinierët nxorën shkopinjtë prej gome dhe nisën t’i rrotullojnë nëpër duar.
– Poshtë komunistët!, – bërtitën nja dy djem të qethur tullë, si për t’u kujtuar autoriteteve të portit arsyet e fuqishme politike që na kishin shtyrë të vinim deri aty.
– Pritni, – bërtiti Timi, – a ka ndonjë që t’u thotë se e kemi fjalën për komunistët që kemi lënë në Shqipëri?
Ai kishte parë të afrohej një grup vullnetarësh italianë me qese ushqimesh dhe ca flamurka organizatash sindikaliste. Në njërën prej tyre dukej qartë logoja e Partisë Komuniste Italiane.
Dikush u inatos dhe bëri thirrje t’i hidhnim në det ata dy tullacët antikomunistë, që po na fusnin në sherr me ata që na kishin sjellë për të ngrënë. Dukej se historia e antikomunizmit tonë, mbyllej pa vënë mirë këmbët në tokë.
Zgjata menjëherë qafën mbi parmakun e anijes dhe me zërin që m’u duk më i hollë se zakonisht, thirra:
«Comunisti italiani, voi comunisti buoni, comunisti albanesi, tutti coglioni!».
Nga mënyra se si karabinierët vështruan njëri-tjetrin m’u duk se askush nuk kishte kuptuar gjë nga fjalët e mia. U dëshpërova. Nuk desha kurrsesi që sindikalistët komunistë t’i hidhnin në ujë ato qeset me ushqime që mbanin në dorë. Kisha uri.
Timi më tërhoqi fort prej krahu.
– Po nuk deshe të kthehesh, eja me mua! – më tha në vesh dhe, pa kërkuar fare mendimin tim, më tërhoqi zvarrë drejt një porte metalike, që e hapi duke e goditur me shkelm.
Një shkallare në formë spirale na zbriti në hambarin e anijes.
– Do të hidhesh ti i pari apo unë? – më pyeti, kur ndaloi para një dritareje të rrumbullakët që binte në det.
– Ti! – i thashë, me bindjen të ngjitesha përsëri lart sapo ai të zhdukej.
Sikur të kishte pritur tamam këtë përgjigje ai më mbërtheu prej gjunjësh dhe më shtyu si predhë topi përtej dritares së rrumbullakët. U lemerisa. Nuk më kishte lënë kohë t’i tregoja se nuk dija not.
Diçka duket e kuptoi vetëm kur pa se unë nuk po dilja mbi ujë. U hodh menjëherë pas meje dhe më tërhoqi prej flokësh.
– Kam porosi nga yt atë të kujdesem për ty, – më tha duke më zvarritur deri te ca blloqe betoni në breg.
Gënjente. Unë kisha ikur fshehurazi.
M’i hoqi rrobat, i shtrydhi mirë dhe mori të paraqitej duke më thënë se ishte dikush që kishte shpirt artisti, edhe pse e ndjente se kishte lindur për biznes. I kishin propozuar shpesh të jepte mësime mjeshtërie aktori, por kishte parapëlqyer të mbante valixhe te stacioni i trenit.
– Ikim tani, – tha i inatosur, tek kuptoi se nuk i besoja asnjë fjalë.
Pirgu i gjatë i blloqeve të betonit, që mbronin portin përfundonte aty ku fillonte një bulevard i gjerë, që shtrihej përgjatë bregut të detit. Nuk dukej asnjë karabinier.
– Do të bëjmë punë të mira bashkë, më tha kur morëm drejtimin e qendrës së qytetit. Ti do të jesh përkthyesi im zyrtar.
Fliste duke tundur duart në ajër dhe vështronte herë këmbët e veta, ku mezi qëndronin një palë atlete të shqyera dhe herë të miat, thuajse zbathur.
Ndryshe nga frika që kisha, rrugëve të Barit u tërhiqnim vëmendjen vetëm ndonjë qeni dhe kalimtarëve me të cilët përplaseshim padashur. Ishte një botë që na shtinte frikë, por më shumë na mrekullonte. Ecnim duk vështruar nga të katër anët. Nganjëherë ndalonim për të kuptuar ku ishim dhe pastaj nxitonim t’i afroheshim qytetit.
Te një shesh i vogël ndeshëm një dyqan këpucësh. Na u duk se ishte ai vetë që ishte rrotulluar për të na dalë përpara.
Mjedisi teksan që kishin krijuar në vitrinë më la gojëhapur. Një kapele lëkure dhe ca palldëme kali prej meshini të mirë dukej se i kishin hedhur aty, fill pas mbarimit të ndonjë filmi të Leones.
– Shko pyet sa është çmimi i atyre këpucëve me qafa, – më tha Timi me pamjen e dikujt që kishte marrë vendimin që duhej.
U futa gjithë ndrojtje brenda. Nuk pashë njeri. Gjithandej rafte me kuti këpucësh. Këpucë kishte edhe mbi disa tavolina në mes të dyqanit. Madje edhe për tokë. Kurrë nuk kisha parë aq shumë. Ecja midis tyre, por nuk guxoja t’i prekja me dorë. Timi, hyri me vrull, mjaft i pakënaqur nga vonesa ime, por edhe ai shtangu nga ajo që pa. Pata frikë se do të rrëmbente një palë e do t’ia mbathte. Nga sikleti u bëra gati të dal unë i pari, kur nga një perde, u shfaq një djalë me këmishë me mëngë të shkurtra.
Sytë më ngelën te një kreshtë flokësh e ngritur përpjetë. Më pëlqeu aq shumë, sa desha ta pyes si bënte që i qëndronin ashtu drejt, si një bredh i vogël i vitit të ri.
– Me çfarë mund t’ju shërbej? – pyeti ai ngadalë, si për t’i lënë kohë vetes të na vëzhgonte mirë e mirë.
– Pyete sa kushtojnë këto këtu, – më tha Timi duke marrë në dorë një palë këpucë me vrima dhe tegela në trajtë elipse mbi faqe.
– Dyzet mijë lireta, – tha shitësi, – në fakt janë dyzet e pesë mijë, por për ju…
– Çfarë për ne? – pyeti Timi me inat, – mos i dukemi të varfër?
Shitësi u skuq, sapo ia përktheva fjalët e tij.
– Tridhjetë mijë lireta, po deshe, – vazhdoi Timi, duke e lënë këpucën me shpërfillje.
– Unë nuk jam pronari, – tha shitësi menjëherë.
– Domethënë se po të ishte ti pronari, do të na i jepje? – ia bëri Timi.
Djali zgjati pak kokën t’i shihte këmbët. Pastaj pa nga unë. M’u duk se ndjeu frikë.
– Merrini… – tha së fundi, – në rregull, merrini tridhjetë mijë…
Timi nuk kishte ndërmend të nxitonte. U ul në një karrige dhe nisi t’i provojë. Për mirësjellje djali bëri sikur nuk i pa gishtat që dilnin nga çorapet e shqyera.
– Yt atë? – më pyeti duke u përkulur nga unë.
– Po, – i thashë, duke ndjerë një nevojë të tmerrshme të kruhem në të gjithë trupin.
Timi u ngrit, bëri disa hapa nëpër dyqan dhe mblodhi buzët.
– Njëzet mijë, po deshe, – ia bëri me një ton të prerë.
– Më vjen keq, – tha shitësi, – është krejt e pamundur, më kollaj e kam t’ju dhuroj këpucët e mia.
Timi u zgjat mbi banak, që të shihte këpucët e tij.
Pata frikë se mos po i thoshte: hiqi!
– Jo, – foli i pakënaqur, – dua këto që kam veshur. Jo më shumë se njëzet mijë. Vetëm dy hapa bëra dhe më dhembin këmbët.
Shitësi u çlirua disi.
– Kemi edhe numër më të madh për atë model.
Timi u inatos prapë. Pata frikë se do t’ia lëshonte kokës këpucët që i zgjati ai, sikur atë çast te dera e dyqanit të mos ishin shfaqur dy zonja të moshuara. Heshtëm.
Zonjat vazhduan të flasin pa na i hedhur sytë.
Djali i përshëndeti dhe heroikisht përpiqej të mbante gjallë buzëqeshjen në drejtim të tyre. Vetëtimthi ndonjë sy kalonte edhe mbi ne. U binda se kishte frikë se mos iknim pa paguar.
Befas gratë reshtën se foluri dhe nisën të shohin rrotull. Njëra na pyeti edhe ne, nëse ndjenim një si erë të çuditshme… këmbësh të palara. Ngrita supet dhe i alarmuar i bëra shenjë Timit të iknim.
– Dyqan për të veshur këmbët, – tha i ai i habitur me mua. – Po të kishin qenë edhe këto plakat në anije, tani do të mbanin erë kufomë. Pyete edhe një herë, në do m’i japë apo jo këpucët?
Shitësi më dëgjoi duke tundur kokën dhe shkoi e u zhduk pas perdes. Kur doli përsëri nuk ishte vetëm. Nga pas nxitonte një grua e re, që vetëm sa na hodhi sytë kalimthi. Përshëndeti gratë e moshuara dhe u zhduk përsëri pas perdes, dalë, duke i bërë një shenjë shitësit.
– Në rregull, – tha ai, duke u zgjatur i kënaqur nga unë, – njëzet mijë. Vetëm pak shpejt…
Ai u kthye t’u kërkojë ndjesë dy grave dhe i siguroi se brenda pak çastesh, do të ishte i tëri në shërbim të tyre. Ato tashmë diçka kishin kuptuar nga vinte ajo era e qelbur dhe u drejtuan te dera e daljes, pa i folur fare.
Krejt i dëshpëruar shitësi hyri në atë kthinën e pasme të dyqanit.
– Atëherë zotërinj? – dëgjuam atë gruan e re që u shfaq përsëri te banaku.
– Thuaj se po të m’i japë për dhjetë mijë lireta, do të vijmë gjithnjë të blejmë këtu, – foli befas Timi, – thuaja e mos m’u përdridh ashtu!
U ktheva nga gruaja dhe fjalët e Timit i përktheva duke i mbajtur sytë e mbyllura.
Ajo nuk foli dhe unë nuk i hapa sytë. Kur vendosa t’i hap, gjëja e parë që pashë ishin llogaritë e gabuara që kisha bërë. Ajo vazhdonte të më shihte mua!
– Keni ardhur nga… bregu tjetër? – më pyeti qetësisht. Unë tunda kokën.
– Merrini për dhjetë mijë lireta, – tha pas pak, me një ton krejt tjetër – vetëm pak shpejt ju lutem.
Pastaj më zgjati një pecetë letre që të fshija lotët që
më shkonin faqeve.
Ia thashë të gjitha Timit pa e kthyer kokën nga ai.
– E shikon mistrec? – dëgjova të më flasë me ton qortues.
Tunda kokën për t’i thënë se kishte të drejtë.
– Tani thuaj se po të m’i japë falas këto këpucë, do të blej një palë të tjera për ty me çmimin që kanë.
Mbylla menjëherë sytë dhe vendosa të mos e hap gojën, sikur çfarë të ndodhte.
– Mos ki frikë të flasësh, – dëgjova gruan të më thotë, – babai yt i kërkon gjë falas?
Tunda kokën, duke i shtrënguar sytë edhe më fort.
– Thuaji t’i marrë e të zhduket me gjithë to! – ulëriu ajo.
Dolëm jashtë menjëherë. Edhe vetë Timi dukej i frikësuar nga zëri saj!
– Dhe mos guxo t’i veshësh pa larë këmbët! – dëgjova gruan të bërtasë edhe një herë të fundit, te dera e dyqanit.
Kur nuk kishim më fuqi të vraponim, ndaluam buzë një trotuari. Timi vishte e hiqte këpucët dhe bënte hapa majtas e djathtas, për të kuptuar si i rrinin.
– Tani më duhet edhe një kostum, – tha pastaj, i kënaqur. – Do të bëj diçka edhe për ty, si përfaqësuesi im.
Ndjeva të më ngrihen qimet përpjetë dhe kuptova se aty rrugët tona ndaheshin.
Pashë nga dy anët dhe ia mbatha vrapit si i marrë drejt botës së panjohur ku sapo kisha vënë këmbët…/SarandaNews.al///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.