Deputetja e Kuvendit dhe anëtare e Komisionit të Stabilizim-Asociimit, Ina Zhupa, deklaroi sot se Shqipëria po përballet me një sërë aferash korruptive që, sipas saj, e largojnë vendin nga rruga e integrimit europian.
Gjatë takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, Zhupa theksoi se turizmi po përdoret si alibi për skema korruptive dhe preferenciale, veçanërisht përmes statusit të “investimeve strategjike”, ku shpesh, sipas saj, mungon konkurrenca dhe transparenca, ndërsa përfitues janë individë të lidhur me pushtetin politik apo me fonde të dyshimta.
Duke iu referuar koncesionit të aeroportit të Vlorës, Zhupa e cilësoi atë si “një mega-aferë korruptive”, të provuar, sipas saj, me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për mungesë konkurrence në tenderim.
Ajo shtoi se projekti, përveçse i dëmshëm për mjedisin e lagunës së Nartës, ka sjellë edhe ndotje të ndjeshme, ndërsa punimet në kantier janë ndërprerë prej muajsh.
Deputetja u ndal edhe tek ligji “Për zonat e mbrojtura”, duke vënë në dukje se ndryshimet e fundit janë bërë pa konsultime me ekspertë vendas e ndërkombëtarë, ndonëse ligji ekzistues ishte hartuar me asistencë europiane dhe në përputhje me standardet e BE-së.
Sipas saj, këto ndryshime i hapin rrugë abuzimeve dhe zhvillimeve të paligjshme në territore me vlera të larta mjedisore.
Zhupa ngriti shqetësime edhe për kultivimin e paligjshëm të kanabisit, duke pretenduar se gjatë vitit elektoral janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme leje për mbjelljen e mbi 29 mijë hektarëve drogë, një praktikë që sipas saj është përdorur për blerjen e votave dhe bie ndesh me ligjet dhe konventat ndërkombëtare.
Ajo ndaloi edhe tek çështja e inceneratorëve, duke theksuar se asnjë prej tyre nuk funksionon realisht dhe se qytetarët vijojnë të paguajnë çdo ditë nga taksat e tyre për projekte të dështuara me një kosto totale që arrin në 430 milionë euro.
“Bashkimi Europian nuk mbështet aferat korruptive që fshihen me pretendimin e zhvillimit të turizmit, mjedisit dhe medemek procesin e integrimit”, tha Zhupa. ///
ME SHUME LAJME
Sot 5 maji, Dita e Dëshmorëve
“Chase Travel”: Riviera Shqiptare, destinacioni më “hot” i verës 2026
Lumi Vjosa, rritet interesi për rafting gjatë sezonit pranveror