Partia Demokratike ka vijuar sot sërish protestën para godinës së Kryeministrisë, të cilësuar si “Foltorja – Lëvizja e pandërprerë e Dhjetorit”.
I pranishëm në protestë ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe anëtari i kryesisë së PD, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili ka organizuar takime me strukturat e PD, një lëvizje që nisi nga Durrësi dhe synon rizgjimin e PD.
I pari e mori fjalën deputeti i PD i qarkut të Durrësit, Igli Cara, i cili u shpreh se, “në Ditën e Lirisë, më 8 Dhjetor, të gjithë pyesin veten nëse janë të lirë pas 35 vitesh kur korrupsioni ka arritur në nivele marramendëse”.
Cara tha se 8 Dhjetori “Dita e Rinisë”, është një ditë reflektimi për rininë, të cilët sipas Carës, të detyruar nga jetesa në Shqipëri, të largohen në emigrim.
Gjatë fjalës së saj në foltoren e opozitës, aktivistja Lorenca Hoxha ngriti shqetësimin për gjendjen e arsimit në disa zona rurale të vendit, duke akuzuar qeverinë se “po përdor korrupsionin dhe propagandën për të fshehur skandalet”, ndërsa problemet reale mbeten të pazgjidhura.
Ajo bëri thirrje që institucionet përgjegjëse të marrin masa urgjente për të përmirësuar infrastrukturën arsimore në zonat që prej vitesh përballen me mungesa të theksuara.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e organizuar këtë të hënë përpara Kryeministrisë, vlerësoi 8 Dhjetorin si ditën që ndryshoi rrjedhën e historisë shqiptare dhe theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të rikthejë idealet e Lëvizjes Studentore të vitit 1990.
Berisha përshëndeti studentët e dhjetorit, duke i cilësuar si “brezi që përmbysi epokën e shtypjes dhe hapi dyert e lirisë dhe përparimit për shqiptarët”, ndërsa përmendi rolin e Azem Hajdarit si figurë kryesore të asaj lëvizjeje.
Në fjalën e tij, ai u ndal edhe te roli i brezit të ri, të njohur si Gjenerata Z, duke vlerësuar angazhimin e tyre në lëvizje demokratike në vende të ndryshme të botës.
Sipas Berishës, ky brez është “zëri më i guximshëm i aspiratave të kohës”.
Duke bërë një rikthim pas në dhjetorin e vitit 1990, Berisha kujtoi kushtet e asaj kohe dhe protestën e parë të studentëve të Universitetit të Tiranës. Ai tha se studentët u përballën natën e 8 dhjetorit me Presidentin e Republikës së kohës, takim pas të cilit, sipas tij, “u rezervua kërbaçi i Sigurimit të Shtetit”.
Berisha theksoi se sot, ndryshe nga atëherë, qytetarët kanë një forcë politike që i përfaqëson, duke nënvizuar se Partia Demokratike, e themeluar nga vetë studentët e dhjetorit, ka arritur të mbijetojë “të gjitha tallazeve dhe përpjekjeve për ta zhdukur”.
Ai deklaroi se, “PD mblidhet sot e betuar për të rikthyer idealet e larta të Lëvizjes së Dhjetorit, lirinë, votën e lirë, dinjitetin e qytetarëve dhe interesin kombëtar”.
Berisha gjithashtu bëri thirrje për nisjen e protestave masive, të cilat sipas tij synojnë rikthimin e të ardhmes dhe dinjitetit për qytetarët shqiptarë.
Berisha theksoi se opozita duhet të përgatitet për një valë protestash të fuqishme. Ai u shpreh se këto protesta do të kenë për qëllim, sipas tij, “t’u rikthejnë shqiptarëve të ardhmen, nderin dhe dinjitetin”.
Në përfundim të fjalës, kreu i PD-së nderoi figurën e Azem Hajdarit dhe studentët e Lëvizjes së Dhjetorit, duke i cilësuar si simbol të lirisë dhe ndryshimit demokratik.
Protesta e PD 8 dhjetor; Fotot; Florian Abazaj
1 nga 7







ME SHUME LAJME
Sarandë. Referohen tre persona në polici: për falsifikim pronësie, shantazh dhe dhunim
TURIZËM – TTW: Nga plazhet e kristalta te historia, ndryshojnë preferencat e turistëve në Shqipëri
Sarandë. “Princess” cruises e kompanisë më të madhe Holland-Amerikan, paraprin 14 krociera të tjera gjatë vitit