Nga Eva XHAJANKA
Autoriteti i Konkurrencës ka përfunduar një procedurë të thelluar hetimore për tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, e cila ka zgjatur gati dy vite dhe ka përfshirë monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.
Komisioni i Konkurrencës konstatoi se disa ndërmarrje grumbulluese kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar marzhe shumë të larta fitimi deri në 115%. Ndërmarrjet e përfshira janë Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, kjo sjellje përbën marrëveshje të ndaluar sipas ligjit dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës për secilën ndërmarrje.
Hetimi tregoi se fermerët shpesh përballeshin me çmime të diktuara dhe të koordinuara, mungesë hapësire për negocim, varësi nga një numër i kufizuar blerësish, presione për uljen e çmimeve dhe vonesa në pagesa.
Në kuadër të masave korrigjuese, Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë dhe i ka vendosur ato nën monitorim për një periudhë njëvjeçare.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës i ka adresuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një sërë rekomandimesh për reformimin e tregut, përfshirë minimizimin e informalitetit, krijimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ngritjen e një platforme kombëtare online të çmimeve dhe vendosjen e kontratave të detyrueshme të standardizuara.///
ME SHUME LAJME
AKU kërkon tërheqjen nga tregu të sallamit “Galbanetto”, rrezik serioz për shëndetin
Sarandë. Polici merret peng nga të ndaluarit për disa orë brenda Komisariatit.AMP nis hetimet.
POETËT PA POEZI