Nga Agron HAMO (Mjeshtër i madh)
(Një homazh për estradën e Sarandës dhe aktorët e saj)
Të shkruash për trupën profesioniste të estradës së Sarandës është, për mua, jo thjesht kënaqësi, por edhe detyrim shpirtëror. Një trupë me reputacion të madh, e dashur dhe e pranuar në çdo skaj të vendit, për të cilën kam ruajtur dhe ruaj respekt absolut.


Si aktor dhe parodist, kam marrë prej kësaj trupe frymëzim të vazhdueshëm dhe mësime të çmuara. Sepse në Sarandë kanë punuar aktorë e aktore të talentuar, emra që publiku i deshi dhe i duartrokiti me zemër. Siç thotë populli ynë: “Nga ferra e vogël del lepuri i madh.” Një qytet i vogël, por i bukur si Saranda, nxori artistë që rrezatuan në rang kombëtar.

Do të veçoja me respekt të veçantë çiftin e paharruar Theofil dhe Violeta Haxhijani, si dhe aktorët Lekë Mosi, Illo Martiko, Polikseni Hajdhi, Gastere Shkurti, Haki Spaho. Më pas, në vijim të viteve, erdhën emra të tjerë që e pasuruan më tej këtë traditë: Vangjel Agora, Karafil Shena, Flamur Oruçi, Valentina Boçi, Pranvera Brinja. Shumë prej tyre, përveçse aktorë të shkëlqyer, ishin edhe kupletistë e parodistë, duke u kthyer në krenarinë e artit skenik sarandjot.


Pa asnjë hezitim mund të them se trupa e estradës së Sarandës ka qenë trupa më muzikore në Shqipëri. Të gjithë aktorët, pa përjashtim, këndonin. Por merita kryesore e këtyre vlerave i takon të madhit regjisor Thoma Milaj – një personalitet simpatik, me kulturë të gjerë dhe sidomos me një kulturë të spikatur muzikore. Ai njihte thellë cilësitë e trupës dhe dinte t’i shfrytëzonte ato me mjeshtëri, duke ndërtuar shfaqje muzikore të bukura, të veçanta dhe shumë të pëlqyera nga publiku.
Thoma Milaj ishte mjeshtër i kupleteve, skeçeve të muzikuara, vodëvilit dhe komedive muzikore. Një arritje e vështirë, por jashtëzakonisht e bukur, që e shndërroi estradën e Sarandës në një identitet të dallueshëm artistik. Ai ishte dhe mbetet ikona regjisoriale e varietesë sarandjote. Edhe unë pata fatin e madh ta kisha regjisor në premierat që ai vuri në estradën e Vlorës – një kujtim që e ruaj me respektin më të madh.

Të paharruara mbeten paroditë e Theofilit dhe materialet e trupës së Sarandës, të shfaqura në koncertet e mëdha të Televizionit Shqiptar në prag të Vitit të Ri, ku kjo trupë kishte gjithmonë një vend të padiskutueshëm.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Vangjel Agora – regjisor dhe aktor me personalitet të spikatur, që mban vulën e tij të suksesit në këtë trupë të admirueshme. Një organizator dhe drejtues i aftë, ai ka lënë gjurmë edhe me shfaqjet e përbashkëta Vlorë–Sarandë, dhënë buzë detit në Sarandë, në hapje të sezoneve turistike verore.
E mbyll këtë shkrim me ndjenjat më të bukura dhe më të sinqerta për të gjithë aktorët, instrumentistët, këngëtarët dhe krijuesit e kësaj trupe simpatike ndër vite. Ju uroj jetë të gjatë dhe suksese të pandërprera në artin e bukur të humorit.///
ME SHUME LAJME
Sport. Ekipi i “Adem SHEMES”, Kampion i Qarkut të Vlorës në basketboll
Sarandë. Rigels Dervishi zgjidhet kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë
Sarandë. Policia shpalli në kërkim 5 shtetas që në një konflikt qëlluan me armë zjarri.