SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Shembjet e rrugëve në juglindje, pasojë e korrupsionit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot për shembjen e segmentit rrugor në Dragostunjë të Librazhdit duke e cilësuar si “pasojë të korrupsionit”.

Në një konferencë për mediet nga selia blu, Berisha tha se, shembja e urës, hekurudhës dhe rrugës nuk ka lidhje me kushtet atmosferike apo faktorë natyrorë, por është pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme në shtratin e lumit.

“Ajo që po ndodh me të gjithë juglindjen e vendit është dëshmia më flagrante se si korrupsioni mund të godasë pothuaj 1/3-tën apo 1/4-tën e shqiptarëve. Prej tri ditësh, e gjithë juglindja e vendit është e dënuar nga një shembje e krijuar, absolutisht nga dora kriminale e njeriut të korruptuar.

“Është një shembje e rrugës dhe urës që nuk mund të ndodhte kurrë, në qoftë se nuk do t’i gërryenin lumin dhe mbështetjen e saj në skarpatin në lumë. Pa asnjë model është ndërhyrë në lumë dhe është shembur ura, hekurudha dhe rruga. Shembje që nuk kanë asnjë lidhje as me motin, as me mbipesha, por janë krejtësisht nga dora e njeriut”, tha Berisha.

Berisha tha se një sërë investimesh infrastrukturore të realizuara gjatë qeverisjes së mazhorancës socialiste janë shembur në zona të ndryshme të vendit.

Ai përmendi shembje të rrugëve si Kuç–Fterë në zonën e Lumit të Vlorës, segmente në Korçë, si dhe projekte të tjera si unaza e Burrelit dhe Rruga e Arbrit, duke i cilësuar ato si “vepra të korrupsionit”.

Sipas Berishës, ajo që është më dramatike se vetë shembja, është heshtja kriminale e organeve të prokurorisë.

“Asnjë të arrestuar, asnjë të marrë në ndjekje, që të gjitha rrugët pa përjashtim të shembura. Shembet unaza e Burrelit. Shembet Rruga e Arbrit. Shembje, shembje dhe kudo vetëm shembje dhe sikur ato i kanë ndërtuar alienët dhe jo kompani të kontraktuara nga qeveria me paratë e taksapaguesve. Nuk veprohet sepse paratë janë ndarë me qeveritarët”, tha Berisha.

Berisha tha se kryeministri Edi Rama fluturoi në Korçë duke shpenzuar 30 mijë euro për fluturimin.

“Ka shkuar me dy helikopterë. Helikopteri Tiranë-Korçë shpenzon 15 mijë euro udhëtim. 30 mijë euro bileta e tij e mëngjesit”, tha ai, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë kundër qeverisë. (Marseda QEFALIA)///

error: