SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Kulturë.Botime. U promovua në Sarandë libri i ri i Vangjel Agorës: “ATJE KU SHKËNDIJA E ARTIT SKENIK BËRI STREHË”

Mbrëmjen e së mërkurës, në ambientet e hotel “Lindi” në Sarandë, u zhvillua promovimi i librit më të ri të autorit Vangjel Agora, “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”, një botim monografik dedikuar historisë dhe kujtesës së artit skenik që u ngjiz dhe mori udhë në gjimnazin “Hasan Tahsini”.

Në këtë event kulturor morën pjesë intelektualë të fushave të ndryshme, mësues, njerëz të artit, kulturës dhe mediave, etj,.

Ishin të pranishëm edhe prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi dhe zëvendësprefekti për Sarandën dhe Delvinën Kristo Kiço.

Libri sjell në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të jetës kulturore të këtij institucioni arsimor, i cili për vite me radhë ka qenë një vatër ku janë hedhur hapat e parë drejt artit skenik nga shumë të rinj, që më pas do të kontribuonin në teatrin dhe kinemanë shqiptare.

Aktiviteti u drejtua nga Xhorxhi Vasili, një figurë e shquar e arsimit në Sarandë autor i disa librave për gjimnazin e qytetit dhe bashkautor i ideimit dhe ngritjes së muzeut të shkollës ” Hasan Tahsini”.

Veprimtaria nisi me shfaqjen e një inserti televiziv me fokus rrugëtimin e talenteve të artit dramatik që dolën nga dyert e gjimnazit “Hasan Tahsini”.

Përmes kujtimeve, dokumenteve dhe rrëfimeve, autori Agora risolli në auditorin e promovimit atmosferën krijuese të talenteve të artit skenik në disa dekada dhe kontributin e tyre të rëndësishëm në gjallërimin e jetës kulturore e artistike të qytetit dhe rajonit të Sarandës.

Në këtë mbrëmje përshëndetën dhe ndanë kujtimet e tyre disa prej miqve dhe bashkëpunëtorëve të autorit të librit monografik.

Më pas Shkëlqim Hajno, gazetar i njohur dhe shkrimtar, gjatë fjalës kryesore për vlerat e librit dhe kontributin e gjatë të autorit Vangjel Agora në jetën kulturore artistike të Sarandës u ndal në një analizë të hollësishme, duke arritur të zbërthejë me vlerat dhe mesazhet e librit, duke i dhënë aktivitetit një dimension të thellë kulturor e kritik.

Jo shtatëmbëdhjetë figura të arti skenik, ngjizur e dritëruar për herë të parë nga pasioni i selitur në dyert e “H.Tahsinit” dhe Q. Kulturore, por edhe sikur dy apo tre, të ishin vetëm ( si Luiza XHuvani (Papathanasi) , Zef Mosi, apo Lert Vasili që janë dhe mbeten gurë diamanti në kurorën e artit skenik shqiptar; do të mjaftonin të ishin një burim krenarie për çdo sarandiot në qytetin që i duartrokiti për herë të parë në një rrugë të vështirë dhe magjike: rrugën e te mundimshme të artit.“-vuri ne dukje shkrimtari Hajno në këtë promovim.

Më pas, folës të tjerë si Vera Sterjo, shoqe shkolle e autorit të librit, Mira Birjani ish mësuese dhe mentore ne aktivitetet artitike të “Hasan Tahsinit” si dhe gazetari Ermir Hoxha, sollën këndvështrime mbi përkushtimin e autorit Vangjel Agora për punën mbi evidentimin e kësaj faqeje të rëndësishme të historisë kulturore të shkollës.

Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi e cila vlersoi punën e madhe për Muzeun e shkollës “H.Tahsini” dhe përgëzoi autorin e librit me vlera “Atje ku shkëndija e artit skenik bëri strehë”. Allushi premtoi mbështetjen e institucionit te Prefekturës të Qarkut Vlorë dhe nxitje e bashkëpunim me vendimarrës lokalë për nisma kulturore dhe projekte si vijimi i botimit te veprave të kolanës “Saranda”.

Në përmbyllje të mbrëmjes promovuese autori Vangjel Agora, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe ndau reflektime mbi motivimin që e nxiti dhe motivoi të realizojë këtë botim. Ai theksoi se “Libri është një përpjekje për të ruajtur kujtesën e një tradite artistike që ka ndikuar në formimin e shumë figurave të njohura të skenës shqiptare.“/ SARANDANEWS.AL///

error: