SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Berisha: Protestat do të thirren aty ku ka pakënaqësi në gjithë vendin

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu e cilësoi protestën kombëtare të 22 marsit si demonstratë madhështore dhe dinjitoze që përfaqëson revoltën dhe zemërimin e gjithë shqiptarëve.

Ai theksoi se qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më solemne ditën e parë të demokracisë, duke treguar se janë të pamposhtur nga ajo që e quajti një narkodiktaturë dhe autokraci elektorale.

“Kurrë ndonjëherë kryengritja paqësore e shqiptarëve nuk ka qenë më e fuqishme se dje në rrugët e Tiranës”, u shpreh Berisha, duke shtuar se mesazhi është i qartë, në kushtet e autokracisë së sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet.

Ai theksoi se beteja e opozitës do të njohë vetëm ngjitje dhe do të përfshijë të gjithë Shqipërinë.

Berisha shprehu mirënjohje të pakufishme për dhjetëra mijëra qytetarë që sipas tij, mbushën rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze, duke shprehur zemërimin e tyre ndaj qeverise.

Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion masiv, duke deklaruar se ajo ka vjedhur miliarda euro dhe ka bllokuar drejtësinë. Ai shtoi se beteja e opozitës nuk ka përfunduar, por do të vazhdojë më e fuqishme, do të përhapet dhe do të njohë nivele të reja.

“Nuk ka më paqe dhe stabilitet për narkozyrtarët shqiptarë deri në rikthimin e votës së lirë dhe të shtetit ligjor”, u shpreh Berisha, duke paralajmëruar se protestat do të zhvillohen kudo në vend.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse lëvizja e opozitës do të shtrihet përtej kryeqytetit, Berisha konfirmoi se do të ketë demonstrata në të gjitha qytetet.

“Aty ku është pakënaqësia, do të ngrihet protesta. Regjimi do të përballet në të katër anët e vendit me qëndresën e fuqishme popullore”, tha ai.

Berisha gjithashtu falënderoi mediet ndërkombëtare për mbulimin e protestës, duke theksuar se lajmi për revoltën e qytetarëve shqiptarë ka marrë vëmendje globale pas ngjarjeve në Lindjen e Mesme.

Ai shtoi se raportimet ndërkombëtare janë mbrojtje e dinjitetit të qytetarëve dhe e Shqipërisë, duke vërtetuar se populli shqiptar nuk pranon sundimin e një kryeministri që nxjerr veten mbi ligjin dhe përdor mandatet si mjet për të cenuar drejtësinë.(Arlinda GJONAJ).///

error: