SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Jug.Fluks turistësh të huaj: Shqipëria destinacion befasues, do rikthehemi edhe në verë

 Plazhet me ujë kristal dhe rërë të bardhë po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj, të cilët po e zgjedhin Ksamilin edhe gjatë pranverës.

I konsideruar një nga perlat e rivierës shqiptare, Ksamili vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj të cilët vlerësojnë natyrën, ushqimin, mikpritjen dhe premtojnë se do të rikthehen sërish.

ATSH bëri një vëzhgim në plazhet e Ksamilit ku sezoni turistik duket se ka nisur më herët këtë vit, ndërsa turistët e huaj shijojnë temperaturat e buta pranverore dhe ujërat e Jonit.

Prania e tyre duke nisur nga fillimi i muajit prill ka sjellë një tjetër ritëm edhe për bizneset buzë detit.

Restorantet dhe baret kanë nisur përgatitjet intensive për sezonin veror, duke sistemuar ambientet dhe duke u përshtatur me kërkesën që po rritet gradualisht. Strukturat akomoduese raportojnë rezervime të hershme, një tregues i qartë se interesi për këtë zonë është në rritje.

Ky fluks i hershëm turistësh konfirmon një trend të ri për turizmin shqiptar, zgjatjen e sezonit përtej muajve tradicionalë të verës.

Një familje britanike me dy fëmijë të mitur kanë zgjedhur qetësinë që ofron kjo periudhë e vitit, larg fluksit të verës, për të shijuar Ksamilin.

Edhe pse kanë mbërritur vetëm një ditë më parë në Ksamil, Genevieve (46 vjeç) nga Mbretëria e Bashkuar tregon se eksperienca e tyre është përtej pritshmërive.

“Unë jam nga Britania e Madhe. Kemi një ditë këtu. Është absolutisht bukur. Jam me fëmijët, njëri gjashtë vjeç dhe tjetri tre vjeç, dhe bashkëshortin. Është shumë bukur këtu, fantastike”, u shpreh ajo.

Edhe për turistët nga Europa Veriore dhe Amerika Latine, Ksamili mbetet një destinacion befasues që do ta zgjidhnin sërish.

Kristina (30 vjeçe), Vaida (26 vjeçe) dhe Zydre (56 vjeçe) nga Lituania theksuan se do të rikthehen në Shqipëri për të eksploruar më tej veriun dhe jugun e vendit.

“Do rrimë këtu për katër ditë. Po qëndrojmë në Sarandë dhe kemi ardhur të vizitojmë Ksamilin. Moti është i mrekullueshëm, mahnitës. Do kthehemi sërish për të eksploruar veriun dhe më shumë për jugun”, thanë ato.

Dy të rinj nga Brazili, Guilherme dhe João shprehen se Shqipëria u ka lënë shumë mbresa.

“Ne jemi këtu prej tri ditësh dhe jemi nga Brazili. Deri tani na ka pëlqyer shumë. E mrekullueshme. Isha në Kroaci dy vjet më parë, por tani preferoj Shqipërinë dhe jo Kroacinë. Po, është e mrekullueshme. Do të rikthehemi në verë”, u shprehën ata.

Një tjetër grup që tërheq vëmendjen janë tre turistë nga Galicia e Spanjës, Olalla (33 vjeç), Hadrian (38 vjeç) dhe Dani (38 vjeç), të cilët janë studentë arti.

Ata e nisën vizitën e tyre në Shqipëri nga Tirana, ndërsa do të qëndrojnë këtu për 2 muaj për të eksploruar më tej kulturën, traditën dhe destinacionet autentike që ruajnë “rrënjët” e vendit, siç shprehen ata.

“Do të qëndrojmë këtu për një apo dy muaj. Na pëlqen peizazhi, gjërat tradicionale dhe do përpiqemi të gjejmë vende interesante. Do të rikthehemi, sigurisht që po, dhe duam të rrimë sa më shumë që të mundemi”, u shpreh Olalla.

Ata u shprehën se këtu ndihen si në shtëpi pasi Shqipëria ka shumë elementë të ngjashëm me Galician.

“Ndihemi si në shtëpi. Galicia nuk është si pjesa tjetër e Spanjës, ndodhet në veri dhe e rrethuar me gjelbërim dhe karakteri është pak ndryshe. Dhe ne po kuptojmë se kemi karakter të ngjashëm me ju shqiptarët. Shumë këndshëm”, u shprehën ata.

Ndërkohë dy turiste nga Belgjika, Aina Maria (45 vjeç) dhe Justina (17 vjeç) shprehen të mahnitura nga ajo që kanë gjetur në Ksamil.

Fillimisht kishin planifikuar një qëndrim të shkurtër, por tashmë po mendojnë ta zgjasin qëndrimin e tyre në Shqipëri.

“Jemi nga Belgjika, kemi një javë këtu në Shqipëri. Do të kthehemi në Belgjikë e do flasim për ju. Na pëlqen shumë këtu, njerëzit janë shumë të dashur. Deti shumë i pastër dhe i bukur. Duam të rrimë tre ose katër ditë më shumë, ndoshta shtatë ditë më shumë. Ushqimi është i shkëlqyer. Nuk kam hasur njerëz kaq shumë miqësore dhe mikpritës. Ejani në Shqipëri. Ksamili është parajsë”, u shprehën ato.

Ndërsa Lisa (70 vjeçe) nga Franca tha se ndodhet në Shqipëri prej dy javësh dhe deri tani ka vizituar Tiranën, Gjirokastrën dhe Beratin. Në Ksamil ajo vlerësoi veçanërisht detin.

Me klimën e butë, çmimet konkurruese dhe natyrën që mbetet ndër më të bukurat në rajon, Ksamili po konsolidohet si destinacion që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit.

Në këtë mënyrë, jugu i Shqipërisë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa turistët që e vizitojnë kthehen në ambasadorët më të mirë për promovimin e potencialit turistik.(Maela MARINI)///

Ksamili në Pranverë

Ksamili në pranverë
Ksamili në Pranverë

error: