SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Së shpejti ndërhyrje restauruese në Sinagogën e Sarandës

Në Sinagogën e Sarandës shumë shpejt do të nisë një investim gjithëpërfshirës, që synon restaurimin dhe konservimin e monumentit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja vizitoi nga afër këtë monument, ku theksoi se “ndërhyrja cilësore do t’i rikthejë shkëlqimin e munguar, që të jetë i aksesueshëm gjatë gjithë ditës dhe natës, si dhe për ta kthyer sa më shpejt këtë sit në një pikë dinjitoze vizitueshmërie për qytetin”.

Sinagoga e Sarandës është zbuluar nga gërmimet arkeologjike dhe është e  pasur me mozaikë me vlera të rralla.

“Ndërhyrja do të konsistojë në mbrojtjen e mozaikëve, sistemin modern të ndriçimit, modernizimin e zyrës së informacionit dhe infrastrukturës së nevojshme për vizitorët, falë një bashkëpunimi konkret mes Bashkisë, Ministrisë së Kulturës, Turizmit dhe Sportit dhe mbështetjes së Fondacionit Besa”, theksoi Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “ky fondacion, i lidhur ngushtë me historinë e besës shqiptare dhe mbrojtjen që populli ynë u bëri hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, sjell një kontribut të vyer edhe për këtë monument me simbolikë të veçantë”.

Sinagoga e Sarandës mendohet se është ndërtuar nga pasardhësit e hebrenjve që u vendosën në bregdetin jugor të Shqipërisë rreth vitit 70 pas Krishtit. Megjithatë, në shekullin VI, sinagoga u zëvendësua nga një kishë.

Ajo është një nga objektet më të vizituara nga turistë vendas e të huaj, që shkojnë në Sarandë, duke qenë se është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të rajonit.(Klodi Saraçini)///

error: