SARANDANEWS.AL

Lajme nga Saranda News Albania. Saranda Radio transmetim live nga Saranda dhe Ksamil. Lajmi fundit ne Saranda News.Al, Foto dhe Video Livestream

Info PLUS. Egjipt. Zbulohet fragment i “Iliadës” brenda një mumie

 – Një zbulim i pazakontë arkeologjik në Egjipt ka nxjerrë në dritë një fragment të veprës së lashtë “Iliada”, i cili është gjetur i vendosur brenda një mumie të periudhës romake, në një rast që studiuesit e cilësojnë “pa precedent”. 

Zbulimi është bërë nga misioni arkeologjik i Oxyrhynchus i Universiteti i Barcelonës gjatë gërmimeve në zonën e Al-Bahnasa, një nga qendrat më të rëndësishme të periudhës greko-romake në Egjipt.

Sipas njoftimit të universitetit, fragmenti i Homerit i datuar rreth 1 600 vjet më parë, është zbuluar në Tombën 65, në Sektorin 22, i vendosur mbi barkun e mumies si pjesë e procesit të balsamimit. Ky konsiderohet rasti i parë i dokumentuar kur një tekst letrar grek është integruar qëllimisht në ritualin e mumifikimit, pasi deri më tani janë gjetur vetëm papirusë me përmbajtje magjike ose rituale.

Studimet e kryera nga ekipi shkencor pas gjetjes kanë identifikuar fragmentin si pjesë të “Katalogut të anijeve” nga Libri II i “Iliadës”, një seksion që përshkruan forcat greke të mbledhura për luftën e Trojës.

Gërmimet janë zhvilluar gjatë periudhës nëntor–dhjetor 2025, nën drejtimin e arkeologes Núria Castellano, ndërsa analiza dhe restaurimi i materialit janë realizuar në fillim të vitit 2026 nga specialistë të fushës së papirologjisë dhe filologjisë.

Sipas studiuesve, prania e një teksti letrar në një kontekst funerari përfaqëson një risi të rëndësishme për kuptimin e ndërthurjes së kulturës greke me praktikat mortore në Egjiptin e vonë antik.

Siti i Al-Bahnasa, rreth 190 kilometra në jug të Kajros, përgjatë degës së Nilit Bahr Yussef, vazhdon të konfirmohet si një nga zonat më të pasura për zbulime të periudhës greko-romake. Gërmimet e fundit kanë zbuluar një kompleks funerari me dhoma prej guri gëlqeror dhe disa varre, një pjesë e të cilave janë dëmtuar nga grabitjet e hershme.

Misioni i Oxyrhynchus, aktiv që prej vitit 1992, mbetet një nga projektet më të qëndrueshme arkeologjike spanjolle në Egjipt, duke sjellë vazhdimisht zbulime me rëndësi historike dhe filologjike.(Valbona ZHUPA)///

error: